Sa janë të vërteta pretendimet për “traktatin e pandemisë së OBSH-së, një përpjekje për të shmangur gabimet gjatë COVID-19”?

Ndërsa teoritë e konspiracionit dhe lajmet e rreme për OBSH-në janë të zakonshme në internet, traktati i pandemisë u ka dhënë atyre një mundësi të re për t’u rishfaqur.

Një varg pretendimesh të rreme dhe mashtruese në internet janë shfaqur në lidhje me traktatin e pandemisë, një marrëveshje historike për të cilën sapo është rënë dakord nga më shumë se 190 anëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Traktati i pandemisë u propozua për herë të parë nga anëtarët e OBSH-së në mes të pandemisë COVID-19, me synimin për të “parandaluar, përgatitur dhe përgjigjur ndaj pandemive”, përcjell Telegrafi.

Dhe për ekspertët globalë të shëndetit, një pandemi e ardhshme është çështje e kohës dhe jo nëse do të ketë një të tillë.

Pas më shumë se tri vjet negociatash të gjata, anëtarët e OBSH-së arritën në një marrëveshje më 16 prill, ndërsa traktati nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm derisa të miratohet zyrtarisht nga shtetet – gjë që pritet të ndodhë në maj.

Që nga krijimi i OBSH-së në vitin 1948, është arritur vetëm një marrëveshje tjetër ndërkombëtare e kësaj shkalle – marrëveshja e kontrollit të duhanit të vitit 2003.

A do të shkelë traktati sovranitetin e shtetit?

Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale më 18 mars, grupi ultra-konservator CitizensGlobal pretendoi se traktati do të çonte në kontrollimin e politikave shëndetësore “nga zyrtarë të pazgjedhur nën maskën e gatishmërisë ndaj pandemisë”.

Ndërsa marrëveshja e pandemisë do të jetë ligjërisht e detyrueshme pasi shtetet ta kenë miratuar atë, traktati nuk anulon aftësinë e asnjë kombi për të miratuar politika individuale të lidhura me pandeminë.

Anëtarësimi në OBSH ndodh në baza vullnetare, me formulimin e traktatit që afirmon në mënyrë eksplicite sovranitetin e shteteve.

Në një deklaratë të lëshuar më 16 prill, menjëherë pas miratimit të traktatit, OBSH tha se “asgjë në projekt-marrëveshje nuk do të interpretohet se i ofron OBSH-së ndonjë autoritet për të drejtuar, urdhëruar, ndryshuar ose përshkruar ligjet ose politikat kombëtare, ose të mandatojë shtetet për të ndërmarrë veprime specifike”.

A do të vendosë traktati vaksinime të detyrueshme?

Një tjetër pretendim në internet, i ndarë më 12 prill nga AUF1, një kanal mediatik austriak i ekstremit të djathtë pretendonte se “traktati do të çonte në vaksinim të detyrueshëm, regjime testimi dhe kërkesa izolimi”.

Por sipas deklaratës së OBSH-së, asgjë në traktat nuk i jep autoritetin për të detyruar një vend të “ndalojë ose pranojë udhëtarët, të vendosë mandate vaksinimi ose masa terapeutike ose diagnostike ose të zbatojë bllokime”.

Duke folur për Euronews, Jaume Vidal, këshilltar i lartë i politikave në Health Action International theksoi “përpara se OBSH të shpallë një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim të veçantë si një pandemi, ajo kalon përmes një komiteti me shtete anëtare dhe ekspertë”.

“Qeveritë kanë fjalën e fundit për çdo gjë që ndodh në territoret e tyre. OBSH mund të këshillojë, mund të sugjerojë, të ofrojë asistencë teknike, por janë qeveritë ato që vendosin në fund”, shtoi ai.

A do të detyrohen shtetet të dhurojnë vaksina?

Gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, vendet më të pasura u akuzuan për grumbullimin e vaksinave në dëm të vendeve më të varfra.

Në një përpjekje për ta menaxhuar këtë, anëtarët e OBSH-së shikuan se si mund të adresohej kjo çështje gjatë rrjedhës së negociatave të traktatit.

Sidoqoftë, kjo perspektivë bëri që disa përdorues në internet të pretendojnë se marrëveshja do të çonte në detyrimin e vendeve të dhurojnë vaksina.

“Një detyrim i mundshëm për të dhuruar vaksina nuk është dakorduar në traktat. Gjithashtu nuk është e qartë se sa përqind e vaksinave ose produkteve të tjera mjekësore do t’i jepeshin potencialisht OBSH-së”, tha Pedro A. Villarreal, studiues global i shëndetit, Instituti Gjerman për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare për Euronews.

“Nëse një marrëveshje për vaksinat arrihet midis vendeve të caktuara, nuk është gjithashtu e qartë nëse vendet më të varfra do të merrnin vaksina pa pagesë ose me çmime preferenciale”, shtoi Villarreal.

Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje ishte klauzola e transferimit të teknologjisë, e cila përqendrohet rreth idesë se vendet mund të ndajnë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe mjetet për prodhimin e vaksinave dhe ilaçeve.

Ndërsa vendet me të ardhura më të ulëta ishin në favor të rregullave më të forta që do t’i lejonin ata të prodhonin vaksina në vend, vendet më të pasura, duke përfshirë anëtarët e BE-së, këmbëngulën që transferimi i teknologjisë duhet të jetë vullnetar dhe për të “duhet rënë dakord reciprokisht”.

Skepticizëm më i gjerë rreth traktatit pandemik

Në Evropë, kryeministri sllovak Roberto Fico – i cili krijoi një komision të posaçëm të ngarkuar me hetimin e masave pandemike – lëshoi kritikat më të zëshme për traktatin e pandemisë.

Në tetor 2024, komisioni bëri thirrje që Sllovakia të “refuzojë të nënshkruajë traktatin global të pandemisë, si dhe rregulloret e përditësuara të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”.

Ish-ministrja e Shëndetësisë e Sllovakisë, Zuzana Dolinková dha dorëheqjen nga posti i saj menjëherë pas publikimit të raportit, i cili është diskredituar nga shkencëtarët.

Ndërkohë përtej atlantikut, presidenti amerikan Donald Trump filloi procesin e tërheqjes së SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në janar. /Telegrafi/

Read Previous

Kumbulla vendimtar në fitoren e Espanyolit

Read Next

Rafuna: Çmimi i bukës s’po rritet nga dëshira, por janë të detyruar shkaku i shtrenjtimit të rrymës