Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka publikuar rreth 10 mijë faqe dokumente mbi vrasjen e senatorit Robert F. Kennedy në vitin 1968.
Publikimi i këtyre dokumenteve është pjesë e përpjekjes së liderit amerikan për të lejuar opinionin publik të ketë qasje në materiale që për një kohë të gjatë kanë qenë të klasifikuara, të lidhura me një seri atentatesh të profilit të lartë në vitet 1960 – përfshirë atë ndaj presidentit John F. Kennedy dhe Rev. Dr. Martin Luther King Jr.
Trump firmosi një urdhër ekzekutiv për publikimin e këtyre dosjeve menjëherë pas marrjes së detyrës. Mijëra faqe të lidhura me vrasjen e JFK janë publikuar që në muajin mars.
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, deklaroi se, ndryshe nga dosjet për JFK, ato që lidhen me RFK dhe MLK nuk ishin të digjitalizuara. Ajo tha se ka urdhëruar një task-forcë për të ndihmuar në digjitalizimin e tyre.
Nuk është ende e qartë se çfarë informacioni i ri ka dalë nga ky publikim, shkruan cnn.
Rreth atentatit: RFK, senator amerikan nga New Yorku dhe ish-Prokuror i Përgjithshëm, ishte kandidat për nominimin demokrat për president në vitin 1968 kur u qëllua për vdekje në një hotel në Los Angelos, më 5 qershor, menjëherë pas mbajtjes së një fjalimi për fitoren në zgjedhjet paraprake në Kaliforni dhe Dakota e Jugut. Ai ishte 42 vjeç.
Robert F. Kennedy Jr., aktualisht Sekretar për Shëndetësinë dhe Shërbimet Humane, i cili ishte 14 vjeç kur i ati u vra, tha sot se “Hapja e dokumenteve rreth RFK-së është një hap i domosdoshëm për të rikthyer besimin në qeverinë amerikane”. /Telegrafi/