Në prag të gjysmëfinales së shumëpritur të Ligës së Kampionëve mes Interit dhe Barcelonës, ish-trajneri i njohur italian Fabio Capello ka ndarë mendimet e tij në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke analizuar si pikat e forta, ashtu edhe ato të dobëta të skuadrës katalanase:
“Skuadra e Flick ka shumë cilësi, individualitete të rëndësishme dhe luan një futboll më pak ‘spanjoll’ se në të kaluarën. Trajneri gjerman preferon vertikalitetin më shumë sesa posedimin e topit me çdo kusht, kërkon presion të ashpër dhe të menjëhershëm. Kur humbasin topin, katalanasit të sulmojnë menjëherë për ta rikuperuar. Kjo është forca e tyre, por edhe, në mënyrë paradoksale, burimi i dobësisë së tyre”.
Si mund ta mposhtë Interi këtë Barcelonë? Sekreti është të kalosh vijën e parë të presionit, pastaj hapen hapësira dhe Lautaro e Thuram duhet të jenë të zotë t’i shfrytëzojnë. Jo vetëm kaq, nëse e pengon Barçën që ta rifitojë topin menjëherë, zbutet rrezikshmëria e yjeve të saj përpara: Yamal, Lewandowski dhe Raphinha. Interi ka edhe një armë që mund ta dëmtojë Barçën: goditjet standarte.
A mund të krahasohet ky Inter me atë të tripletës dhe si mund të “neutralizohet” Yamal? Për ta ndaluar këtë Barcelonë duhet përqendrim ekstrem dhe disiplinë. Por nëse Interi i tripletës e bëri ndaj Messit, mund të bëhet edhe sot ndaj Yamal. Lexoj krahasime të ekzagjeruara me Lamine, ka talent për ta fituar ‘Topin e Artë’ në të ardhmen dhe më thonë se është shumë i përulur. Sidoqoftë, Leo ishte unik që në moshën 16-vjeçare. Dhe këtë e them me bindje, sepse e kam parë nga afër atëherë.
“San Siro”, a duhet parë si faktori shtesë për Interin? Mendoj se lojtarët e Inzaghit mund ta menaxhojnë më mirë presionin kur e luajnë ndeshjen e parë në transfertë. Dhe pastaj, të kesh ‘San Siron’ në krah në 90 minutat vendimtare të kthimit është avantazh i madh.
Pra, ju keni nota besimi për zikaltrit? Kjo Barcelonë është e rrezikshme, por Interi ka armët e duhura për ta mposhtur. Do të jetë një betejë e madhe. /Telesport.al/