Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryeparlamentarit nuk ka marrë votat e mjaftueshme në dy tentime gjatë seancës së sotme për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Albulena Haxhiu as në votimin e dytë nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të marrë drejtimin e Kuvendit, pasi 57 deputetë votuan pro, 19 u shprehën kundër dhe tre deputetë abstenuan.
Vullnet Bugaqku nga KDI-ja, në lidhje me situatën e krijuar, tregon sa herë ka të drejtë Lëvizja Vetëvendosje të propozojë kandidatin e saj për drejtimin e legjislativit.
Ai tha për KosovaPress se në bazë të një aktgjykimi të Kushtetueses nga viti 2014, partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit në seancën konstituive.
Por, as Kushtetuta e Kosovës dhe as ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk specifikojnë se sa herë ka të drejtë të bëhet një propozim të tillë, dhe nuk sqarohet nëse i njëjti kandidat mund të ri-propozohet nëse nuk merr votat e mjaftueshme.
Sipas tij, kjo e shtyn vendin drejt krizës institucionale, pasi mund të ketë përsëritje të votimeve pa rezultat mund të sjellë në bllokimin e procesit.
Ai përmend rastin e vitit 2020, kur pas disa shkëmbimeve të letrave mes presidentit të asokohe Hashim Thaçi dhe kryeministrit të atëhershëm Albin Kurti, çështja u dërgua në Kushtetuese, e cila i dha të drejtë presidentit që të vepronte në mungesë të gatishmërisë së partisë së parë për të propozuar një kryeministër, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe tani.
“Tani kemi një aktgjykim në të kaluarën nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2014, ku gjykata ka theksuar sipas Kushtetutës së Kosovës, partia fituese e zgjedhjeve rrjedhimisht në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje ka edhe grupin më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, dhe rrjedhimisht e ka fituar të drejtën të bëjë propozimin e një kandidati për kryetar të Kuvendit në seancën konstituive. Ajo që duhet të sqaruar se as Kushtetuta, as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka specifikuar, se deri në sa herë ka të drejtë që grupi më i madh parlamentar të propozojë kandidatin e vet, dhe aq më tepër nuk është e specifikuar e as e sqaruar që përsëri a mundet i njëjti kandidat të propozohet për kryetar të Kuvendit, a po jo. Dhe, rrjedhimisht jemi përsëri në një dilemë deri në çfarë afati të themi ashtu mundet që Lëvizja Vetëvendosje nëse nuk i ka numrat në parlament të propozojë dhe të ri-propozojë emrat për kryetar të Kuvendit nëse të njëjtit nuk marrin shumicën prej 61 votash. Mund të vijmë në një situatë të themi ashtu hipotetike siç kemi ardhur në vitin 2020, kur pas tri apo katër letrave të komunikuara mes presidentit Thaçit dhe Albin Kurtit që ishte kryeministër, është proceduar rasti në Gjykatën Kushtetuese, ku gjykata atëherë i dha të drejtë presidentit që në pamundësi për shkak të mos gatishmërisë, të themi të partisë së parë që kishte fituar zgjedhje për të propozuar, dhe për ta zgjedhur një kandidat për kryeministër mund të vlejë si analogji nëse vazhdimisht dështohet në zgjedhjen e kryetarit nga Lëvizja Vetëvendosje që opozita, po e quaj ashtu të provojë, dhe të tentojë që të votohet bashkërisht të votohet një kandidat dhe të zgjidhet kryetari i Kuvendit”, tha ai. /KosovaPress/