​Prokuroria: Motivi i vrasjes së rreshterit Lika dyshohet se lidhet me punën e tij si polic

Policia dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, pas një aksioni të madh policor për arrestimin e shtatë personave të dyshuar për vrasjen e policit Muhamed Lika, kanë dhënë detaje në konferencë për media.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka thënë se vrasja e rreshterit Muhamed Lika nga hetimet e para dyshohet se ndërlidhen me punën e tij si zyrtar policor.

“Sot kemi arritur që t’i arrestojmë 7 persona që dyshohet se kanë marr pjesë në vrasjen ë rreshterit Muhamed Lika. Personat janë duke u intervistrua, ata do të shkojnë në mbajtje dhe do të vazhdohet me procedurat e mëtutjeshme. Ne ia kemi pasur borxh policisë dhe rreshterit Lika që te kemi këtë rezultat që e kemi tani. Hetimet do të vazhdojnë edhe për personat e tjerë…. Motivi kryesor dyshohet se lidhet me punën e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se të gjithë personat e arrestuar janë në proces të intervistimit nga hetuesit tonë policor me autorizim të prokurorit

“Sot kemi konkretizuar një operacion policor i cili është zhvilluar në Kaçanik me qëllim të bastisjes, respektivisht zbatimin e urdhëresës së gjykatës së Ferizajt. Operacioni është zhvilluar me autorizim të Prokurorisë Themelore, ku gjatë këtij operacioni janë bastisur 9 lokacione, shumica e tyre në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës. Gjatë operacionit policor janë arrestuar 7 persona të dyshimtë të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në planifikimin dhe po ashtu në ekzekutimin e rreshterit tonë. Të gjithë personat e arrestuar janë në proces të intervistimit nga hetuesit tonë policor me autorizim të prokurorit. Operacioni ka shkua shume mirë, nuk pas ndonjë incident”, theksoi ai.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me aksionin policor të zhvilluar në orët e hershme të së hënës në Kaçanik. Ky aksion lidhet me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

Sveçla ka shkruar në Facebook se drejtësia për rreshterin Lika që u vra më 1 prill, është domosdoshmëri.

“Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi”, ka shkruar Sveçla në Facebook, duke lënë të kuptohet se aksioni i sotëm në Kaçanik është një hap drejt zbardhjes së këtij rasti të rëndë më 1 prill.

Mëngjesin e së hënës, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës zhvilloi një operacion policor në Kaçanik që ka të bëjë me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.

Më 1 prill, Muhamed Lika ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën ‘Idriz Seferi’, në Kaçanik rreth orës 23:00. Ai u transportua në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. /KosovaPress/

Read Previous

Netanyahu: Nuk do të lejoj që Irani të ketë armë bërthamore

Read Next

Jehona Sopi elektrizon publikun në skenën e Gjakovës