Ndalohen për 48 orë tre të arrestuarit për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë

Tre të arrestuarit të cilët janë të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999 janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.

Kështu u bë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës ku ndër të tjera thuhet se rasti është cilësuar si “Krime lufte kundër popullatës civile”.

“Komuna e Prishtinës dhe  Lipjanit / 1998-1999. Lidhur me rastin  pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale tre të dyshuarit dërgohen në qendër të ndalimit për 48 orë”, thuhet në raport.

Ndërkaq, pas një periudhe të gjatë hetimore, autoritetet policore kanë lokalizuar dhe arrestuar fillimisht dy të dyshuar në qytetin e Lipjanit, në dy lokacione të ndara.

Bëhet fjalë për B.T. (mashkull) dhe N.Č. (femër). Në vazhdën e operacionit, është arrestuar edhe i dyshuari i tretë, M.I. (mashkull), në qytetin e Prishtinës.

Të dyshuarit akuzohen për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile, konkretisht për maltretim, rrahje dhe torturim fizik e psikik të të ndaluarve shqiptarë gjatë periudhës së luftës, teksa shërbenin si gardianë dhe zyrtarë korrektues në Burgun e Prishtinës dhe Qendrën Korrektuese të Lipjanit. /Telegrafi/

Read Previous

Të mërkurën, një tjetër përpjekje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit

Read Next

Si të dilet nga ngërçi në Kuvend?