​Tregjet e aksioneve janë në rënie, ndërsa vlera e arit rritet

Tregjet evropiane të aksioneve janë në rënie këtë mëngjes, pasi investitorët po ndjekin shembullin e shitjes së madhe që ndodhi në Wall Street mbrëmë, raporton The Guardian.

Indeksi DAX i Gjermanisë ka rënë me 0.4%, ndërsa CAC i Francës është ulur me 0.6% dhe FTSE MIB i Italisë ka humbur 1.1%.

Në Danimarkë, gjiganti farmaceutik Novo Nordisk ka rënë me më shumë se 6% pasi një studim zbuloi se pilula eksperimentale për humbje peshe nga rivali amerikan Eli Lilly ishte po aq efektive sa ilaçi i suksesshëm i Novo-s, Ozempic, përcjell KosovaPress.

Në anën tjeter, dollari amerikan ka rënë në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit, ndërsa largimi nga asetet amerikane po përshpejtohet.

Tregtarët janë të shqetësuar pasi Donald Trump ndërmori një tjetër sulm të ashpër ndaj kryetarit të bankës qendrore amerikane, duke e quajtur Jerome Powell “Z. Shumë Vonë” dhe “një dështak i madh”, ndërkohë që presidenti amerikan shtoi presionin për uljen e normave të interesit në SHBA.

Kjo ka çuar në rënien e dollarit kundrejt një shporte valutash në nivelin më të ulët që nga marsi i vitit 2022. Kundrejt jenit japonez, dollari ka arritur në nivelin më të ulët të shtatë muajve të fundit, duke u këmbyer në 140 jen për herë të parë që nga shtatori i kaluar.

Javën e kaluar, Trump shprehu se po pret me nxitim largimin e Powell, sipas The Guardian.

Tony Sycamore, analist në IG, thotë se sulmet e Trump ndaj Powell-it po dëmtojnë besimin në tregje. Marrëdhënia e tyre ka qenë gjithnjë e tensionuar – megjithëse Trump e emëroi në 2017, më pas e ka kritikuar ashpër për vendime të këqija dhe vonesa. Ndërkohë, Powell ka paralajmëruar se tarifat e Trump rrezikojnë të rrisin inflacionin dhe të ngadalësojnë ekonominë, duke sfiduar pretendimet e presidentit.

Dje (kur tregjet evropiane ishin të mbyllura), pati humbje të mëtejshme në Wall Street, ku indeksi Dow Jones Industrial Average ra me 2.5%, ose gati 1,000 pikë.

Ndërsa investitorët e shqetësuar po vazhdojnë të investojnë në ar, duke e çuar atë në nivele rekord sot.

Ari arriti për herë të parë në $3,500 për ons këtë mëngjes, duke zgjatur një rritje të madhe që ka nisur nga $2,623/ons në fillim të vitit.

Matt Britzman, analist i lartë në Hargreaves Lansdown, thotë se:

“Lufta e tarifave vazhdon pa fund në horizont, dhe tani përplasja për pushtet me Powell po e tensionon më tej situatën. Tregjet po kërkojnë progres konkret në marrëveshjet tregtare – postimet në Truth Social apo X nuk mjaftojnë më. Investitorët duan veprim, jo vetëm fjalë”.

Kjo pasiguri po i shtyn investitorët drejt aseteve të sigurta si ari dhe jeni japonez./kp

Read Previous

Dosja e kaçanikasve të arrestuar si të dyshuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Read Next

Bie importi i qeseve plastike