​KDI: Kosova ka bërë përparim të moderuar në zbatimin e obligimeve të Procesit të Berlinit

Kosova ka bërë përparim të moderuar në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit.

Kështu thuhet në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili u publikua të martën.

Hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli, tha se fokusi i raportit është në fushën e digjitalizimit dhe agjendës së gjelbër.

Sipas saj, në kuadër të agjendës së reformave evropiane, Kosova ka bërë përparim në zhvillimin e rrjetit 5G si pjesë e agjendës digjitale 2030, mirëpo shtoi se duhet angazhim më i madh në kuadër të agjendës së gjelbër.

Si mangësi ajo përmendi mungesën e aftësive digjitale, sidomos në sektorin e arsimit.

Në anën tjetër, ajo tha se Kosova ka vendosur objektivat për energjinë dhe klimën deri në vitin 2030, ku përfshinë rritjen e pjesës së energjisë së ripërtërishme deri 32 për qind dhe reduktimin e gazrave serë deri në 16.3 për qind.

“Gjetjet kryesore te pjesa e digjitalizimit mund të them se ka pasur progres në përmirësimin e infrastrukturës dhe konektivitetit. Kosova ka arritur një shtrirje të internetit 100 për qind që e tejkalon edhe mesataren e BE-së. Ky është zhvillimi më pozitiv nga pjesa e digjitalizimit, ndërkaq pjesa e siç kemi marrë obligime dhe që kërkohet nga BE-ja që Kosova të bëjë përpjekje për të zbatuar edhe teknologjinë 5G që është duke zhvilluar por duhet edhe tutje. Hap tjetër pozitiv është miratimi i Strategjisë së Agjendës Digjitale i cili ngërthen shumë aspekte të zhvillimit digjital dhe objektivave që Kosova ia ka vendosur vetës për të arritur tutje në avancim drejt zhvillimit digjital të vendit… Kosova ka vendosur objektivat për energjinë dhe klimën deri në vitin 2030, ku përfshinë rritjen e pjesës së energjisë së ripërtërishme deri 32 për qind dhe reduktimin e gazrave serë deri në 16.3 për qind. Ka miratuar edhe ligje që duhet të vijnë në Kuvend dhe të miratohen sa më parë, po ashtu janë edhe marrëveshje që duhet të ratifikohen në Kuvend”, tha ajo.

Pjesë e tryezës së diskutimit ishte edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Procesi i Berlinit është kyç në bashkëpunimin rajonal.

Ajo tha se Kosova është vendi më proaktiv në rajon kuadër të Procesit të Berlinit, mirëpo vuri në pah destruktivitetin e Serbisë, sidomos në moslejimin e alokimit të kapaciteteve në linjat e transmisionit.

“Kosova është ndër vendet më aktive dhe proaktive në Procesin e Berlinit. Këtë e kemi parë edhe me ratifikimin shumë të shpejtë të gjitha marrëveshjeve dhe sëfundmi edhe në ratifikimin e njëanshëm të marrëveshjes për lëvizje të lirë me Bosnjë Hercegovinën…Kur është pjesë e proceseve të tilla të bashkëpunimit rajonal nënshkruan marrëveshje të reja, synon thellim të bashkëpunimit. Por nga ana tjetër në realitet, Kosova ka probleme specifike politike që të bëjnë të mos shpresosh shumë edhe për marrëveshjet e reja. Nëse flasim për energjinë një gjë që e kemi përjetuar gjatë gjithë kohës është se në kemi votuar në Proces të Berlinit, nga ana tjetër sot jemi në një situatë kur qe 5 vjet Serbia nuk lejon alokimin e kapaciteteve në linjat e transmisionit. Kjo është një tregti bazike që i kushton qytetarëve të Kosovës me miliona euro”, theksoi Rizvanolli.

Mes tjerash në raport janë adresuar rekomandime ndaj institucioneve, veçmas në zgjerimin e rrjetit të internetit të lartë në shkolla. Po ashtu të sigurojë burime të mjaftueshme për implementimin e infrastrukturës digjitale. /KosovaPress/ 

Read Previous

Luis ​Figo parashikon fituesin e Ligës së Kampionëve

Read Next

​Të shtëna me armë zjarri te stacioni i autobusëve në Pejë