Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndërmarrë veprime urgjente për funksionalizimin e plotë të tij dhe për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Jakaj theksoi se Kuvendi duhet ta zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit në seancën e sotme, duke kërkuar nga deputetët që të arrijnë konsensus për të votuar kandidatin e propozuar.
“Emrat e nënkryetarëve duhet të votohen në pako, ashtu siç është ndërtuar praktika e konsensusit tashmë prej dy dekadash e më shumë”, ka shkruar Jakaj, duke paralajmëruar se shmangia nga kjo praktikë rrezikon vonesën në ndërtimin e institucioneve të tjera.
IKD-ja gjithashtu kërkon që nesër Kuvendi të miratojë ndryshimet në Ligjin për Pagat, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij aktgjykimi, Kuvendi është i obliguar të garantojë pagesën për përvojën e punës në sektorin publik në nivelin prej 0.5% për çdo vit përvoje, me efekt nga 1 shkurti 2024.
Moszbatimi i këtij vendimi, sipas IKD-së, rrezikon të drejtat e mbi 90 mijë shërbyesve civilë në Kosovë. /Koha.net/