Bislimi: Turqia një nga investitorët më të mëdhenj për Kosovën

Zyra për Komunikim Publik, njofton se zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë ditën e djeshme në ceremoninë e hapjes së Shoqatës Kulturore dhe Humanitare të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bursa të Turqisë.

 “Për ne në Kosovë, Bursa zë një vend të veçantë si qyteti me komunitetin më të madh shqiptar. Një komunitet që brez pas brezi për më shumë se një shekull ka vazhduar të kultivojë dhe të bartë gjuhën, kulturën dhe vlerat shqiptare. E një nga këto vlera shumë të rëndësishme për ne është mikpritja të cilën sot po e ndjejmë fuqishëm këtu.” tha zëvendëskryeministri Bislimi gjatë fjalës së tij.

Ai shtoi se Turqia është shteti me të cilin ne ndajmë një marrëdhënie të fortë e të thellë, gjersa përtej lidhjeve tona kulturore e njerëzore, raporti i Kosovës me Turqinë po lulëzon edhe në rrafshin ekonomik.

“Turqia tanimë është një nga investitorët dhe partnerët tregtar më të mëdhenj që ka Kosova. Vëllimi tregtar mes Kosovës dhe Turqisë e ka arritur shifrën prej 1 miliardë euro. Bizneset turke kanë investuar në Kosovë mbi 400 milionë euro, duke u kyçur në sektorë shumë të rëndësishëm si infrastruktura, energjia, financa, shëndetësia dhe arsimi. Janë diku 10 mijë vetë që kanë gjetur punë nëpër korporata dhe ndërmarrje që kanë për pronarë biznese turke.” u shpreh zëvendëskryeministri.

Theksoi se bashkëpunimin ekonomik duhet ta kultivojmë secilën ditë e më shumë duke e institucionalizuar përmes iniciativave si ajo e fundit e komitetit të përbashkët ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Turqisë, që pritet të fuqizojë edhe më shumë raportet tona, duke sjellë mundësi të reja edhe për komunitetin shqiptar dhe bizneset shqiptare në Bursa.

“Kjo mënyrë e organizimit e komunitetit shqiptar, si shoqata që po e përurojmë sot, janë iniciativa të vlefshme që e zgjerojnë bashkëpunimin tonë në vazhdim. Shoqata që po përurohet sot është më shumë sesa një organizatë kulturore e humanitare: ajo është edhe një emblemë që unifikon identitetin, përkatësinë dhe vlerat e komunitetit shqiptar në Turqi.” tha zëvendëskryeministri.

Ai e përfundoi fjalën e tij duke uruar të gjithë për hapjen e kësaj shoqate kulturore e humanitare si dhe duke i falënderuar për punën e vlefshme, gjersa si institucione të Republikës së Kosovës qëndrojmë të gatshëm në mbështetjen e kësaj iniciative dhe të tjerave, në mënyrë që bashkërisht ta nderojmë historinë tonë dhe të lartësojmë arritjet e përbashkëta. /RTKLive

Read Previous

​Përfundon takimi konsultativ, kjo është përgjigja e Deharit

Read Next

Prapë s’ka vota, Haxhiu dështon që të bëhet kryeparlamentare edhe në votimin e tretë