Haxhiu thotë se po përballet me gjuhë denigruese gjatë kandidimit për kryeparlamentare

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendoshe, Albulena Haxhiu, e cila tri herë radhazi nuk mori votat e mjaftueshme për tu zgjedhur kryeparlamentare ka thënë se është ballafaquar me gjuhë të ashpër ditëve të fundit nga partitë tjera.

Ajo në një prononcim për media pas mbylljes së punimeve të seancës së sotme konstituive tha se LVV-ja ka shumë vullnet për të ecur përpara, por nuk mund që partitë tjera t’ua imponojnë emrat për kandidat për kryetar të Kuvendit.

Ajo po ashtu tha se është e shqetësuar për gjuhën denigruese që po i bëhen asaj, pasi siç tha kjo gjuhë i dekurajon edhe gratë tjera të merren me politikë.

“Ajo me çka unë jam përballur gjatë kësaj kohe, ‘është figurë përçarëse, është konfliktuoze, është monstrum politik, është terroriste politike, është specie e përçudnuar’. Së pari kjo gjuhë është e papranueshme, jo vetëm që po bëhet ndaj meje, por ndaj kujtdo-qoftë. Shqetësimi im është që kjo gjuhë denigruese, mizogjene, seksiste i dekurajon gratë të merren me politikë sepse kur shohin përbaltjet e grave, sot unë dje Mimoza, etj natyrisht që pastaj mendojnë dy a tri herë se a të merren me politikë. Unë asnjëherë nuk kam pasur një funksion unifikuese”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se asnjëherë nuk ka pasur funksion unifikues dhe se është krenare për veprimet e saja në karrierën politike.

“Kam qenë më shumë se 10 vite deputete e Kuvendit, gati 5 vite ministre e drejtësisë, dhe kam pasur përballje politike, por gati 15 vite aktivitet politik, asnjëherë nuk kam votuar për diçka që bie ndesh me qytetarët, me republikën, as nuk kam votuar Gjykatën Speciale, as marrëveshjen e prillit që parasheh asociacionin, dhe jam krenare për veprimet e mia publike, por nuk është në rregull të më akuzojnë për diçka që nuk kam pasur, pra funksion unifikues nuk kam pasur”, tha ndër të tjera Haxhiu. /Telegrafi/

Read Previous

IPK jep detaje për intervistimin e katër policëve në Gjakovë

Read Next

Distria Krasniqi mposhti serben Nikoliq