Përshkallëzohen tensionet mes Indisë dhe Pakistanit

Tensionet mes rivalëve të moçëm, Indisë dhe Pakistanit, janë përshkallëzuar të enjten, pasi Nju Delhi e ndërmori një ofensivë diplomatike kundër Islamabadit, duke e fajësuar atë për një sulm vdekjeprurës që vrau 26 njerëz, kryesisht turistë, në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit.

India e akuzoi Pakistanin të mërkurën në mbrëmje se po e mbështet “terrorizmit përgjatë kufitarit” dhe mori masa diplomatike, përfshirë uljen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike, pezullimin e një marrëveshjeje të rëndësishme për ndarjen e ujërave dhe mbylljen e pikëkalimit kryesor tokësor me Pakistanin.

Pakistani i hodhi poshtë akuzat, ndërsa një grup militant i panjohur më parë, që e quan veten Qëndresa e Kashmirit, mori përgjegjësinë për sulmin.

Islamabadi tha se do të përgjigjet ndaj veprimeve të Indisë të enjten dhe se do të mbledhë Komitetin e Sigurisë Kombëtare, i përbërë nga zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë.

“India ka ndërmarrë hapa të papërgjegjshëm dhe ka bërë akuza”, tha ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, për kanalin lokal televiziv Dunya News.

Dar shtoi se veprimet e Indisë deri tani kanë qenë “jokinetike” [joushtarake], dhe paralajmëroi se “çdo hap kinetik nga India do të marrë përgjigje të njëjtë kinetike” nga Pakistani.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve kanë qenë të brishta gjithsesi, veçanërisht pas vendimit të Indisë për t’ia hequr Kashmirit statusin gjysmautonom në vitin 2019.

India dhe Pakistani e administrojnë secila nga një pjesë të Kashmirit, por të dyja e duan për vete të gjithë territorin.

Ato ka kohë të gjatë që e akuzojnë njëra-tjetrën për mbështetje të forcave që destabilizojnë njëri-tjetrin, dhe Nju Delhi e cilëson gjithë militantizmin në Kashmir si terrorizëm të mbështetur nga Pakistani.

Pakistani e mohon këtë dhe shumë myslimanë të Kashmirit e shohin luftën e militantëve si një përpjekje të brendshme për liri.

India tha të enjten i ka kërkuar një numri diplomatësh pakistanezë të largohen nga Nju Delhi, ndërsa diplomatët indianë i ka tërhequr nga Pakistani.

Misionet diplomatike në të dyja vendet do ta zvogëlojnë numrin e stafit nga 55 në 30 nga 1 maji, njoftoi të mërkurën mbrëma sekretari i Jashtëm i Indisë, Vikram Misri.

Misri gjithashtu tha se i vetmi pikëkalim tokësor funksional mes dy vendeve do të mbyllet, dhe shtoi se India po e pezullon traktatin e rëndësishëm për ndarjen e ujërave.

Traktati për Ujërat e Indusit, i ndërmjetësuar nga Banka Botërore në vitin 1960, lejon ndarjen e ujërave të një sistemi lumenjsh që është thelbësor për të dyja vendet, veçanërisht për bujqësinë në Pakistan. Traktati u ka mbijetuar dy luftëra mes Indisë dhe Pakistanit, në vitet 1965 dhe 1971, dhe një përplasjeje madhore kufitare në vitin 1999.

Në Kashmir, banorët mbyllën tregjet, bizneset dhe shkollat të mërkurën në shenjë proteste, të shqetësuar se sulmi mund t’i dëmtojë ekonominë dhe turizmin në rajon.

Varrimi i disa prej viktimave u krye gjithashtu në disa qytete indiane, dhe njerëzit morën pjesë në nderimin e tyre duke ndezur qirinj në disa vende, përfshirë Srinagarin, qytetin kryesor në Kashmir./REL

Read Previous

Krasniqi: Nuk është e lehtë të shpallesh kampione evropiane tri herë

Read Next

Bellingham dhe Real Madrid përballë një vendimi të rëndësishëm mjekësor