Putin nuk shkon në funeralin e Papa Françeskut

Presidenti rus Vladimir Putin vendosi të mos marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut në sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

Një nga arsyet kryesore që qëndron pas këtij bojkoti ishte frika nga një arrestim i mundshëm për shkak të urdhrit ndërkombëtar të lëshuar kundër tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJNP) në mars të vitit 2023.

Megjithatë, në praktikë, presidenti rus rrezikonte shumë pak. Ministria italiane e Drejtësisë nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të zbatuar urdhrin e gjykatës së Hagës.

Urdhri i arrestimit ka mbetur i bllokuar në zyrat e Via Arenula dhe nuk i është përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme të Romës, një procedurë e nevojshme për ta bërë atë të vlefshëm për ekzekutim. Kjo e ka kthyer dokumentin në një “copë letre” pa efekt ligjor.

Precedenti i mëparshëm me arrestimin dhe lirimin e gjeneralit libian Osama Najeem Almasri në janar të këtij viti ka rritur më tej dyshimet për moszbatim të qëllimshëm të urdhrave nga Italia. Në atë rast, autoritetet italiane nuk morën një vendim të qartë dhe për pasojë, Almasri u kthye në atdhe me një fluturim zyrtar, megjithë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Tani, për këtë rast, ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, përballet me një hetim nga gjykata e ministrave – bashkë me Kryeministren Giorgia Meloni dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë – për moskryerjen e detyrës zyrtare.

Një vendim i qëllimshëm politik?

Sipas raportimeve, bllokimi i urdhrit të GJNP-së ndaj Putinit është një zgjedhje e qëllimshme politike. Qeveria italiane ka deklaruar se shefat e shteteve dhe qeverive gëzojnë imunitet diplomatik për aq kohë sa janë në detyrë – një qëndrim që bie ndesh me interpretimin e Gjykatës së Hagës, e cila nuk e njeh imunitetin për krime lufte, krime kundër njerëzimit apo gjenocid, raporton TCH.

Përveç Putinit, në listën e të kërkuarve të GJNP-së janë edhe disa zyrtarë të lartë rusë, përfshirë Komisioneren për të Drejtat e Fëmijëve Maria Lvova-Belova dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu. Por edhe këto urdhra kanë mbetur të pazbatuar në Itali.

Akuza të rënda ndaj Putinit

Presidenti rus akuzohet për deportimin dhe ndalimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas drejt Rusisë – veprime që klasifikohen si krime lufte sipas Statutit të Romës, që themeloi GJNP-në. Për zyrtarët e tjerë, akuzat lidhen me sulme me raketa kundër infrastrukturës civile në Ukrainë gjatë viteve 2022–2023.

Ndërkohë, Italia vijon të mos i zbatojë kërkesat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke rrezikuar përkeqësimin e marrëdhënieve me Hagën dhe reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare të drejtësisë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Pinterest u dërgon mesazh të rinjve: Lëre aplikacionin gjatë orarit të shkollës

Read Next

VIDEO | Brenda tunelit prej rreth 7 miliardë eurosh nën Detin Baltik midis Danimarkës dhe Gjermanisë