Guvernatori Ismaili në Washington takon shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim bilateral me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, David Amaglobeli dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e njoftoi Amaglobeli me zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë, si dhe për statusin e reformave të ndërmarra nga BQK-ja në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe forcimit të sistemit financiar në vend.

Referuar njoftimit të BQK-së, Amaglobeli prezantoi pikëpamjet e FMN-së lidhur me zhvillimet globale ekonomike dhe ndikimet e mundshme që ato mund të kenë mbi ekonominë e Kosovës, derisa përgëzoi BQK për reformat e ndërmarra për sektorin financiar dhe kapacitetet institucionale.

“Në takim u diskutua gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe BQK-së në fusha me rëndësi për stabilitetin financiar, si dhe për vazhdimin e ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe teknike të BQK-së, me synim forcimin e mëtejshëm të rolit të saj si rregullator dhe mbikëqyrës financiar.

Të dy palët theksuan rëndësinë e vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së, duke vlerësuar lart ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit në kuadër të Programeve të mbështetura nga FMN”, thuhet në njoftim.

Guvernatori Ismaili shprehu falënderimin e tij për Amaglobeli dhe ekipin e tij për bashkëpunimin konstruktiv dhe ndihmën e vazhdueshme që FMN ka ofruar ndaj BQK-së, duke vlerësuar lartë   angazhimin profesional dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërinstitucional. /Telegrafi/

Read Previous

OpenAI dëshiron të blejë Google Chrome

Read Next

Keqpërdori besimin dhe vodhi 130 mijë euro, arrestohet e dyshuara