Vdekja e Papa Françeskut shënoi fillimin e ndoshta fazës më të rëndësishme në historinë e re të Kishës Katolike – betejës për identitetin dhe të ardhmen e saj.
Konklava e ardhshme, e cila do të mbledhë kardinalët nga e gjithë bota nën “Gjykimin e Fundit” të Michelangelos në Kapelën Sistine, nuk do të jetë thjesht një zgjedhje e një udhëheqësi të ri.
Ajo do të jetë një përballje mes dy vizioneve: vazhdimi i reformave të nisura nga Papa i Argjentinës apo kthimi i Kishës në një rrugë më konservatore.
Opozitë e vogël ndaj linjës së Françeskut
Papa i parë nga Amerika Latine ka ndryshuar rrënjësisht përbërjen e Kolegjit të Kardinalëve – trupit që zgjedh Papën.
Në vend që të ndiqte rregullin e pashkruar sipas të cilit ipeshkvijtë e dioqezave më të rëndësishme në Evropë dhe Amerikë bëheshin automatikisht kardinalë, Françesku i dha “kapelet e kuqe” edhe vendeve më parë të papërfaqësuara, si Tongo, Mianmari, Mongolia, Republika e Afrikës Qendrore dhe Haiti.
Kështu, ai e bëri Kolegjiumin e Kardinalëve më përfaqësues për mbarë Kishën, dhe shumica e kardinalëve që ai ka emëruar ndajnë vizionin e tij, analizon cnn.
Megjithatë, në Vatikan ekziston një grup i vogël, por i organizuar dhe me ndikim, që dëshiron të zhbëjë shumë nga vendimet e Françeskut.
Shumë prej tyre janë shqetësuar nga qëndrimi i tij i hapur ndaj kungimit për të shkurorëzuarit dhe të rimartuarit, pranimi i besimtarëve LGBTQ+ dhe kritikat e tij të ashpra ndaj katolikëve konservatorë, të cilët, sipas tij, duan ta kthejnë Kishën “mbrapa”.
Papa i ri – drejtim i ri
Këto rrethe janë veçanërisht të shqetësuara nga reformat e Françeskut që përfshijnë një rol më të madh për gratë në Kishë – potencialisht edhe si diakonesha – si dhe përfshirjen e laikëve në procesin vendimmarrës. Këto ndryshime janë diskutuar nëpërmjet Sinodit të Ipeshkvijve, dhe procesi i reformës është parashikuar të zgjasë deri në vitin 2028.
Edhe pse vetëm kardinalët nën moshën 80 vjeç votojnë, kardinalët më të vjetër dhe në pension luajnë një rol të rëndësishëm në konsultimet joformale para konklavës. Shumë prej tyre nuk janë të linjës së Françeskut dhe mund të përpiqen të orientojnë diskutimet drejt një drejtimi më konservator.
Ndër figurat kyçe që mund të ndikojnë në zgjedhje janë kardinali amerikan Blase Cupich, kardinali indian në pension Oswald Gracias, ish-nunciatura papnore në SHBA Christophe Pierre, britaniku Arthur Roche dhe kardinali me përvojë nga Hondurasi, Oscar Rodriguez Maradiaga.
Në lojë janë gjithashtu kanadezi, Marc Ouellet, ganaiani Peter Turkson dhe kardinali i New Yorkut, Timothy Dolan.
Kritika të shumta vijnë edhe nga kardinali në pension Joseph Zen nga Hong Kongu, i cili prej vitesh kundërshton politikën e Françeskut ndaj Kinës.
Përçarje brenda Kishës
Gjatë pontifikatit të Françeskut ka pasur edhe përplasje publike mes kardinalëve. Një grup prej tyre e ka kritikuar hapur për vendimet lidhur me vendimet për të shkurorëzuarit, ndërsa memorandume anonime “Demos” dhe “Demos II” kanë pohuar se Françesku e ka drejtuar Kishën në mënyrë autokratike.
Më vonë u zbulua se autori i memorandumit të parë ishte kardinali George Pell, një figurë kyçe e rezistencës konservatore, i cili vdiq në vitin 2023, duke lënë një boshllëk në udhëheqjen e atij kampi.
Konklava e ardhshme nuk do të zhvillohet vetëm prapa dyerve të mbyllura – një rol të madh po luajnë edhe rrjetet sociale dhe fushatat digjitale.
Në SHBA, në vitin 2024 u krijua faqja The College of Cardinals Report, e cila paraqet në mënyrë të detajuar qëndrimet e kardinalëve mbi bashkëjetesat homoseksuale, shugurimin e grave dhe marrëdhëniet Vatikan-Kinë.
Grupi “The Red Hat Report” tentoi të grumbullojë mbi një milion dollarë për të hartuar dosje mbi “papabilët”, duke pretenduar se analiza e tyre do ta kishte penguar zgjedhjen e Françeskut, po të ekzistonte më herët.
A mund të ndalen reformat?
Disa ipeshkvij afrikanë dhe nga Evropa Lindore tashmë janë shprehur kundër bekimeve për çiftet e të njëjtit seks dhe mund të votojnë si një bllok i bashkuar.
Dallimet në gjuhë dhe prejardhje mes kardinalëve mund ta vështirësojnë bashkëpunimin, gjë që favorizon kandidatët që tashmë kanë arritur të mbledhin mbështetje përreth vetes.
Disa besimtarë dhe kardinalë mund të dëshirojnë një Papë që të vazhdojë reformat, por me më pak “befasi” dhe më pak vëmendje mediatike.
Megjithatë, reformat kanë nisur dhe mbetet për t’u parë nëse mund të ndalen – përveç ndoshta nga vetë një Papë i ri.
Konklava e ardhshme do të mbahet nën presionin e historisë, përçarjeve, reformave dhe kundërshtimeve.
Kushdo që do të zgjidhet, do të mbajë mbi supe trashëgiminë e Françeskut dhe pritjet e mbi një miliard katolikëve – nëse do t’i përmbushë ato apo do të ndryshojë drejtim, kjo do të bëhet e qartë shumë shpejt. /Telegrafi/