Autoritetet iraniane kanë njoftuar se të paktën 25 persona kanë humbur jetën dhe 800 janë plagosur në një shpërthim të fuqishëm në një nga portet kryesore të Iranit.
Shpërthimi ndodhi në Shahid Rajaee, porti më i madh tregtar i Iranit, afër qytetit jugor Bandar Abbas, mëngjesin e së shtunës.
Sipas raportimeve të mediave shtetërore, gjashtë persona ende figurojnë si të zhdukur.
Shpërthimi shkatërroi dritaret dhe çatitë e ndërtesave përreth dhe shkatërroi makina. Banorët raportuan se ndjenë goditjen e shpërthimit deri në 50 kilometra largësi.
Videot që BBC ka verifikuar tregojnë një zjarr që u bë gjithnjë e më i fortë para shpërthimit të madh, pas të cilit njerëzit filluan të ikin, ndërsa disa mbetën të plagosur në rrugë, të rrethuar nga tymi dhe mbeturinat.
“E gjithë depoja ishte e mbushur me tym, pluhur dhe hiri. Nuk e mbaj mend nëse u fsheha vetë nën tavolinë apo shpërthimi më hodhi atje”, tha një dëshmitar për televizionin shtetëror iranian.
Pamjet nga ajri treguan të paktën tre zona në flakë, ndërsa ministri iranian i Punëve të Brendshme më vonë konfirmoi se zjarri po përhapej nga një kontejner në tjetrin. Shkollat dhe zyrat në rajon morën urdhër të qëndronin të mbyllura të dielën.
Porti Shahid Rajaee është më i madhi dhe më moderni i Iranit, përmes të cilit kalon një pjesë e madhe e trafikut të anijeve tregtare të Iranit.
Ndodhet në Ngushticën e Hormuzit, rruga kryesore ujore për anijet cisternë të naftës, rreth 20 kilometra në perëndim të Bandar Abbas, qytetit portual më të madh të Iranit në bregdetin jugor dhe selisë së bazës kryesore të Marinës Iraniane. /Telegrafi/