Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, Shqipëria vazhdon të ruajë stabilitetin ekonomik.
Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, ekonomia vendase u rrit me 4.1% gjatë vitit 2024, duke sfiduar vështirësitë globale dhe duke ruajtur ritme të forta zhvillimi.
Konsumi i brendshëm, investimet private dhe një sezon turistik i jashtëzakonshëm ishin motorët kryesorë të rritjes.
Në tregun e punës, shifrat janë premtuese. Sipas bankës qendrore papunësia ka rënë, ndërsa pagat janë rritur ndjeshëm, duke forcuar mirëqenien e familjeve shqiptare.
Një tjetër faktor pozitiv është rënia e inflacionit dhe forcimi i Lekut, që i dha Bankës së Shqipërisë hapësirë për të lehtësuar politikat monetare, duke favorizuar kreditimin dhe investimet.
Sektori bankar mbetet i shëndetshëm, me norma të larta kapitalizimi dhe fitimesh rekord, duke garantuar mbështetje për ekonominë.
Por sfidat nuk mungojnë: tensionet tregtare, konfliktet gjeopolitike dhe pasiguritë ndërkombëtare mbeten kërcënime reale.
Ndaj Banka e Shqipërisë apelon për ruajtjen e rezervave financiare dhe administrim të kujdesshëm të rreziqeve, që Shqipëria të vijojë të ecë përpara, edhe përballë një bote në lëvizje të shpejtë. /tvklan.al