Pse Shqipëria po bëhet destinacioni kryesor turistik në Evropë?

Evropa të sjell në mendje imazhe të bulevardeve madhështore pariziane, rrënojave të lashta romake dhe plazheve spanjolle të mbushura me diell, sipas “Travel Off Path”.

Për dekada të tëra, këta gjigantë të Evropës Perëndimore kanë dominuar listat e dëshirave të udhëtimit, duke tërhequr miliona turistë në monumentet e tyre ikonike dhe qytetet e tyre plot jetë.

Le të jemi realistë: Këto vende janë të mahnitshme, por të gjithë jemi ne dijeni se vera në Evropën Perëndimore sjell turma masive me vizitorë dhe çmime shumë të larta.

Por trendet e udhëtimeve po ndryshojnë. Ndërsa destinacionet klasike mbeten të njohura, turistët e zgjuar që kërkojnë përvoja autentike, peizazhe mahnitëse po e kthejnë vëmendjen e tyre drejt lindjes.

Harrojini vizitat ​​në Kolose këtë vit. Ekziston një vend që krenohet me bukurinë mesdhetare, pa turma vizitorësh dhe çmime të larta krahasuar me fqinjët e tij.

Ekipi i “Travel Off Path” e ka vizituar personalisht këtë vend në zhvillim dhe është plotësisht dakord – se është një destinacion i jashtëzakonshëm pushimsh dhe një vend unik evropian!

Përgatituni të eksplorini këtë verë Shqipërinë!

Shqipëria? Shifrat nuk gënjejnë!

Mund të habiteni. Shqipëria? Ndonëse ndoshta nuk është emri i parë që ju vjen ndërmend për pushime në Evropë, statistikat dëshmojnë një destinacion që po rritet me shpejtësi në popullaritet.

Sipas agjencisë së Turizmit të OKB-së, Shqipëria përjetoi një rritje të jashtëzakonshme prej 80% të mbërritjeve turistike në vitin 2024 – krahasuar me nivelet para pandemisë – duke e vendosur atë midis liderëve botërorë për rritjen e turizmit.

Shifrat e hershme për vitin 2025 tregojnë se ky trend nuk po ngadalësohet, me numrin e vizitorëve të huaj në janar që është rritur tashmë me 14,5% krahasuar me vitin e kaluar.

Sharmi i Rivierës Shqiptare pa shtrënguar buxhetin 

Një nga atraksionet më të mëdha të Shqipërisë është Riviera Shqiptare.

Mendoni për bregdete të mrekullueshme që ju kujtojnë Greqinë ose Kroacinë, por me çmime shumë më të përballueshme.

Ndërsa çmimet po rriten në mënyrë të pashmangshme – siç u vu re në fillim të vitit 2025 – Shqipëria ende ofron një përvojë mesdhetare relativisht të përballueshme.

Ju mund të rezervoni dhoma cilësore në bujtina ose edhe hotele buzë detit me çmime që do t’i bënin turistët në Itali “të qanin”.

Po bregdeti? Është spektakolar.

Riviera Shqiptare, që shtrihet përgjatë Detit Jon, ofron ujëra të kristalta ngjyrë bruz, shkëmbinj dramatikë dhe plazhe të bukura që variojnë nga brigjet e gjalla të Sarandës deri te plazhet gjithnjë e më të famshme dhe mahnitëse rreth Ksamilit, të quajtura shpesh “Maldivet e Evropës”.

Gjiret e fshehura si, Plazhi i Gjipesë ose brigjet pranë Dhërmiut ofrojnë relaks perfekt si në kartolina.

Ju mund të shijoni darka me ushqime të freskëta deti pranë bregdetit me kosto të përballueshme.

Përveç plazheve edhe histori, male dhe kulturë

Ndërsa Riviera Shqiptare mund të tërheqë vëmendjen, atraksionet e Shqipërisë shkojnë shumë më thellë se vija e saj bregdetare.

Ky është një vend me një histori të pasur dhe peizazhe mahnitëse të larmishme.

Adhuruesit e historisë mund të eksplorojnë tre vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shëtisni në rrugët e pjerrëta, të shtruara me gurë të Gjirokastrës, “Qytetit të Gurtë”, duke u mahnitur nga arkitektura e saj unike e epokës osmane dhe kalaja madhështore.

Vizitoni Beratin, “Qytetin e një mbi një Dritareve”, ku shtëpitë e bardha duket sikur rrëzohen nga shpati i kodrës drejt lumit.

Eksploroni rrënojat e lashta të Parkut Kombëtar të Butrintit, një vend i banuar që nga kohërat parahistorike, ku shfaqet historia greke, romake, bizantine dhe veneciane.

Zbuloni kryeqytetin e gjallë dhe plot ngjyra, Tiranën, një qytet që po heq dorë nga e kaluara e tij komuniste – me kafene të shumta, tregje si Pazari i Ri, muze magjepsës – duke përfshirë bunkerët e Luftës së Ftohtë – të shndërruar në hapësira arti si Bunk’Art dhe Sheshin madhështor Skënderbej.

Për adhuruesit e natyrës, Malet e Nemuna (Alpet Shqiptare), në veri ofrojnë shtigje për ecje dhe peizazhe dramatike, ndërsa Qafa e Llogorasë ofron një udhëtim mahnitës bregdetar .

Koha për të vizituar Shqipërinë është pikërisht tani

Koha për të vizituar Shqipërinë është pikërisht tani. Lidhjet e përmirësuara të fluturimeve dhe popullariteti në rritje ndërkombëtarisht do të thotë se është më e lehtë për ta vizituar se kurrë më parë.

Megjithatë, kjo rritje e shpejtë do të thotë se ditët kur ajo ishte një sekret krejtësisht i pazbuluar janë të numëruara.

Ndërsa Shqipëria ende ofron një përvojë autentike dhe më pak të mbushur me turistë sesa shumë fqinjë, fjala po përhapet me shpejtësi.

Nëse jeni duke kërkuar një destinacion evropian në vitin 2025 që ndërthur bukurinë mahnitëse natyrore, historinë interesante dhe vendasit mikpritës – Shqipëria duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve.

Ajo ofron një ndërthurje gjithnjë e më të rrallë: një vend që të jep ndjesinë e një risie emocionuese dhe thellësisht historike.

Vizitoni Shqipërinë përpara se të gjithë të tjerët ta bëjnë – nuk do të pendoheni pasi të keni zbuluar yllin në ngritje të Evropës!  /ATSH/

Read Previous

Marta Kos: Jo të gjitha shtetet e BE-së janë për heqjen e masave ndaj Kosovës

Read Next

Policia e Kosovës: Ja si po identifikohen shkeljet në trafik me dron