Nga 15 qershori kur edhe ka filluar vaksinimi masiv në komunën e Gjakovës me vaksinën kundër Covid-19 janë imunizuar 3470 qytetarë. Në qendrën e vaksinimit “Fehmi Agani” ku edhe po zhvillohet ky proces gjithçka po shkon sipas termineve të caktuara në E-Kosova. Doktoresha Hana Domi tha se po punohet me orare të plota dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë incident.
Domi tha se është rritur interesimi i qytetarëve për t’u imunizuar ndaj virusit Sars-Cov-2. Por ajo shtoi se vaksinimi në vikend do të bëhet vetëm për dozën e dytë të vaksinës kundër Covid-19.
Në mesin e qytetarëve që mori vaksinën ishte edhe 74 vjeçari Brahim Hyseni i cili tha se kjo ishte doza e dytë e vaksinës dhe deri më tani nuk ka pasur shqetësime shëndetësore.
Vetëm në 24 orët e fundit në të gjithë Kosovën janë vaksinuar mbi 3 mijë e 600 persona, ndërsa nga marsi kur filloi ky proces e deri më tani janë imunizuar mbi 144 mijë qytetarë.