Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri ka thënë se janë përballur me mungesë të materialeve esenciale për kryerjen e analizave të ADN-së, që sipas tij, ka ndodhur për shkak të procedurave të tejzgjatura të prokurimit. Para deputetëve ai ka adresuar çështjen e prokurimit ku ka kërkuar përjashtim nga procedurat e rregullta. Gjithashtu, ai ka kërkuar që statusi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë të përjashtohet nga ligji për zyrtarët publikë.
Blerim Olluri ka pranuar që janë përballur me mungesë të materialeve esenciale për kryerjen e analizave të ADN-së, duke shtuar se kanë shkuar me kërkesa të përgjithshme në procedurat e prokurimit, çka sipas tij, ka vonuar sigurimin e tyre.
Si një prej sfidave kryesore me të cilën është ballafaquar Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Olluri tha se është ndryshimi i statusit të personelit.
Ai ka thënë se tashmë kanë përfunduar projektin financiar nga Qeveria e Kosovës në vlerë 1.5 milion euro për ndërtimin e aneks objektit.
Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci pati kritika se procesi ishte tej zgjatur, duke përmendur këtu edhe çështjen e cila ka kaluar në gjykatë pasi Agjencia kishte shkëputur kontratën me kompaninë punë kryese./KosovaPress