Trupat e viktimave që vdiqën në aksidentin tragjik në Kroaci, pritet që të arrijnë në Kosovë sot rreth orës 12:00
Kështu njoftojnë nga kompania e funeraleve “Pikëllimi” që po e bën bartjen e tyre.
Për të nderuar viktimat në pikën kufitare në Vërmicë, kanë dalë edhe disa mërgimtarë.
Mentor Zekolli është njëri prej tyre, i cili ka thënë se kjo ngjarje është shumë e rëndë për ta, derisa i ka lutur shoferët që të kenë shumë kujdes gjatë vozitjes.
“Jam vetë gurbetqar e di dhimbjen se kur i ndodh dicka familjes. Pata dëshirë të jem këtu. Një ngjarje e tillë është shumë e randë për neve gurbetqarëve. E dijmë dhimbjen shumë. Një rast shumë tragjik për neve shqiptarëve kudo që janë, dhe i kisha lut shoferat që të kenë shumë kujdes”, ka thënë Zekolli.
Përveç Zekollit, në këtë vendkalim kufitar janë grumbulluar edhe qytetarë të tjerë, të cilët kanë dashur t’i nderojnë viktimat e këtij aksidenti.
10 persona kanë vdekur si pasojë e aksidentit të autobusit me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – që doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.
Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë, ndërsa në të ishin edhe dy shoferë – njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë. /Insajderi.com