Për tri orë rresht Qendra e Vaksinimit në Gjakovë gjatë ditës së djeshme ka qëndruar pa energji elektrike.
Afërdita Spahiu, drejtoreshë komunale e Shëndetësisë në Gjakovë e konfirmoi këtë për Syrin.
Sipas saj, rrymë është ndalur nga KEDS për shkak të punimeve në rrjet ndërsa vaksinat janë larguar nga qendra për shkak të temperaturës.
Spahiu ka deklaruar se të gjitha vaksinat janë larguar me kohë dhe kështu ato nuk kanë pësuar ndonjë dëm.
“Nuk ka pasur rrymë për 3 orë për shkak se është ndërruar një kabllo, është ndërprerë rrymë për shkak se punëtorët shëndetësorë nuk kanë pasur si t’i fusin në sistem qytetarët. Kurse vaksinat janë larguar janë bartur në frigoriferë në qendrën e vaksinimit që ka qenë më herët “Ereniku”. Kemi qenë të paralajmëruar dhe kemi biseduar, por që s’kanë mundur të bëjnë asgjë për shkak të ndërrimit të kabllos”, ka deklaruar Spahiu.
Vaksinat anti-COVID-19 kërkojnë një sistem ftohjeje special për shkak të ndjeshmërisë së tyre, varësisht nga lloji i vaksinës.
Këto vaksina kërkojnë ftohje deri në -80 gradë.