​Pluhuri vrasës i KEK-ut, banorët përreth kërkojnë zgjidhje

Ndotja e ajrit dhe ambientit nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që është duke ndodhur vazhdimisht, veçanërisht edhe në këto ditë me temperatura të larta nga mos funksionimi i filtrave në termocentralin “Kosova A”, është bërë i padurueshëm për qytetarët e Obiliqit.

Madje, nga këto ndotje sipas QKMF-së në këtë komunë, të paktën 30 përqind është më i lartë numri i qytetarëve që vuajnë nga sëmundjet kronike respiratore dhe kancerogjene krahasuar me komunat tjera.

Zyrtarë komunalë në Obiliq duke treguar për gjendjen e rëndë, thonë se vazhdimisht janë duke inspektuar punën në KEK, por një gjë e tillë sipas tyre nuk po ndodh edhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë.

Ndërsa, qytetarët ankohen se jeta në Obiliq është bërë e vështirë për shkak të ndotjes së madhe nga ana e KEK-ut.

Milazim Krasniqi, qytetar thekson se jetesa e qytetarëve të Obiliqit është e mjerueshme sa i përket ndotjes së ambientit, ku sipas tij janë shtuar edhe sëmundjet e ndryshme për banorët.

Edhe Brahim Kulani qytetar nga Obiliqi thekson se si pasojë e mos vendosjes së filtrave nga KEK-u ka pluhur të madh. Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe komuna që të punojnë më shumë për të parandaluar këtë dukuri të shëmtuar.

Edhe Sulltane Makolli banore në këtë rrethinë thotë se ndotja po shkakton sëmundje të rënda.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare(QKMF) në Obiliq, Haki Jashari thotë për KosovaPress se për shkak të mos funksionimit në mënyrë të duhur të filtrave nga ana e KEK-ut, ka shtim të ndotjes së ambientit që reflekton në mënyrë negative tek shëndeti i popullatës.

Jashari pohon se ka rritje të rasteve të sëmundjeve kronike respiratorë si tek moshat e shtyra po ashtu edhe tek fëmijët.

Jashari thekson se rreth 6 mijë fëmijë, brenda një viti kërkojnë ndihmë si pasojë e ndotjes së ujit, tokës dhe ajrit.

Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit në Obiliq, Fitore Hashani thekson për KosovaPress se ndotja nga KEK-u është bërë vërtet e vështirë për banorët e kësaj komune sidomos në këtë kohë vere.

Hashani thotë se në vazhdimësi janë në terren për të inspektuar vendosjen e filtrave nga ana e KEK-ut, por veçoi se inspektimi nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po neglizhohet sidomos në dy muajt e fundit.

Në anën tjetër nga kjo Ministri theksuan se emisionet e shkarkuara të pluhurit në TC Kosova A nuk ka pasur tejkalime nga vlerat kufitare të emisioneve ( VKE ), ndërsa në TC Kosova B vlerat janë shumë të larta, gjatë kësaj periudhe kohore.

Ani pse zyrtarë të KEK-ut nuk janë përgjigjur për KosovaPres lidhur me këtë temë problemore, në komunën e Obiliqit po ashtu kanë thënë se për shkak të teknologjisë së vjetruar dhe prodhimit në një prej njësive të TC “Kosova A”, të martën ka ndodhur një avari me pluhur në Obiliq./KosovaPress

Read Previous

5 gra dhe 14 fëmijë kanë mbërritur në Shqipëri pasi kishin vite që jetonin në kampin famëkeq në Siri

Read Next

Arlind Shabani i bashkohet Prishtinës