Javën e fundit është rritur dukshëm numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID-19 që po trajtohen në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike në QKUK dhe asnjëra nga to nuk është vaksinuar kundër coronavirusit.
25 gra shtatzëna janë së shtrira në repartin për COVID-19 në Klinikën e Gjinekologjisë, teksa 10 nga to po trajtohen me oksigjeno-terapi, e dy janë në gjendje më të rëndë.
Drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjendja në këtë klinikë nuk është e mirë, teksa theksoi se kanë hapur edhe repartin e dytë për të pranuar të shtatzëna me COVID-19.
“Me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 është rritur dukshëm edhe numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID-19, sidomos nga e enjtja e kaluar, ku çdo ditë i kemi të shtrira nga 25-26, por kjo shifër varion, pasi ato në gjendje më të lehtë, i udhëzojmë me terapi të shkojnë në shtëpi. Gradualisht numri është duke u shtuar, e kemi hapur sot repartin tjetër për të pranuar shtatzëna me COVID”, tha Ismajli
/Telegrafi/