Mustafa nuk ndjehet mirë, kërkon të mos jetë i pranishëm në sallën e gjyqit

Pas pushimit të drekës trupi gjykues do të njoftojë për vendimin që ka marrë lidhur me kërkesën e të akuzuarit Salih Mustafa, për mos qëndrimin e tij në sallën e gjyqit derisa dëgjohen dëshmitarët.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa po kërkon që mos të jetë fizikisht i pranishëm në seancë gjatë gjykimit të tij.

Këtë kërkesë e ka përsëritur sot përmes avokatit të tij Julius Von Bone, i cili ka theksuar vështirësitë dhe stresin me të cilin po përballet Mustafa.

“Pyetja që kam është kjo, siç thash sot në mëngjes, e filluam me këtë situatën lidhur me zotin Mustafa, ai preferon të kthehet në qendrën e paraburgimit duke pasur parasysh vështirësinë dhe stresin për shkak të shumë faktorëve, e diskutuam sot paradite, por njësoj si dje, dje gjatë pashmit të drekës e paraqita këtë kërkesë, preferoj ta përmend tani këtë çështje dhe jo gjatë pushimit të drekës që të evitojmë çdo vonesë për fillim të seancës dhe po ju pyes a është e mundur apo jo pavarësisht nga fakti që nuk ka një vendim procedural për atë që diskutuam sot paradite në përgjithësi, kjo është diçka që u kërkua jo vetëm për seancën sot pas drekës ku është e qartë që zoti Mustafa të mund të kthehet në qendrën e paraburgimit”, ka thënë avokati I Mustafës.

Nga gjykatësja është thënë se një vendim të tillë do ta bëjnë të ditur pas pushimit të drekës.

Gjykimi i Mustafës do të vazhdojë sot me pyetjet e avokatit të tij për dëshmitarin e parë në këtë proces, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë duke mos iu bërë i ditur identiteti.

Në anën tjetër, vet Mustafa në fillim të seancës e ka kërkuar fjalën ku ka thënë se kohët e fundit po përballet me stres por me të nisur të numërojë faktorët për këtë gjendje, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Read Previous

Nuk kishte certifikatë vaksinimi, presidenti detyrohet të hajë në trotuar

Read Next

Murati paralajmëron punësimin e 100 punëtorëve shtesë në ATK