Banorët e rrugës “Aqif Blyta” në lagjen Mulla Jusuf ka një kohë po përballen me mungesën e kapakëve të pusetave. Ata thonë se çdo ditë kalojnë këtë rrugë për të kryer obligimet e përditshme dhe ndihen të rrezikuar për faktin se mund të bien në këtë pusetë e cila ka mbetur pa kapakë, por edhe më keq është për ata që nuk e njohin terrenin.
Një tjetër pusetë e hapur është edhe afër lokacionit të ashtuquajtur “Kurriz”. Këtu banorët kanë improvizuar kapakun duke vendosur pengesa për të shmangur rrezikun e rënies. Ky nuk është i vetmi vend ku ka mungesë të pusetave. Në shumë pjesë të qytetit vërehet një gjë e tillë. Mungesa e pusetave vjen kryesisht nga vjedhja e tyre nga persona të papërgjegjshëm. Lidhur me këtë çështje ne kemi kërkuar nga njësia e hetimeve pranë stacionit policor në Gjakovë që të dijmë se a është arrestur ndonjë person për këtë dukuri. Kapiten Emin Hoxha përmes telefonit ka konfirmuar për televizionin tonë se gjatë kësaj vere janë vjedhur rreth 40 kapakë të pusetave. Dy persona janë arrestuar, njëri nga ta për vjedhje ndërsa tjetri pronar i një hekurishteje për blerje të materialit të vjedhur. Kjo është një dukuri e vazhdueshme por që ne jemi në dispozicion të qytetarëve dhe do angazhohemi për të zbutur këtë dukuri ka potencuar tutje shefi i sektorit të hetimeve, Kapiten Emin Hoxhaj.