Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë mirë që ka ndarë një buxhet për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të cilët janë në gjendje të vështirë.
“Është shenjë e mirë që qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të cilët janë në gjendje të rëndë e të vështirë dhe çdo ndihmë qoftë e Kosovës qoftë e Shqipërisë është shumë e mirëseardhur. Por mendoj që përtej ndihmës financiare ne çështjen e Kosovës lindore duhet ta bëjmë çështje primare në bisedimet me Serbinë, të kërkojmë që përmes reciprocitetit të zgjidhet çështja e shqiptarëve në Kosovën lindorë gjithmonë në raport me atë që kërkohet për serbët në veriun e Kosovës. Kjo do ishte qasja më e mirë që Kosova do ta zbatonte dhe është shumë më e rëndësishme sesa buxheti”, tha Murati.
Murati tha se duke e parë që ‘Open Ballkan’ po përkrahet nga administrata amerikane do të vijë një moment kur Kosova do të detyrohet të jetë pjesë e saj pa arritur të vendos kushte.
“Çështja e bashkimit të shqiptarëve shkon ndërmjet një procesi të vështirë realisht të dialogut me Serbinë. Kosova duhet ti zgjidhë problemet e mbetura me Serbinë. Prej atyre bisedimeve duhet të dalë shtet më funksional. Rrjedhimisht do të duhej të ketë të drejtë se çfarë raporti po ndërton me Shqipërinë dhe tek pas kësaj situate mund të ndodh. Çështja e ‘Open Ballkan’ është shumë e nxehtë këto kohët e fundit”.
“Mendoj se të gjitha qeveritë e Kosovës deri te kjo e fundit kanë pasur një qasje jo të duhur madje edhe populiste në raport me këtë nismë sepse konsiderojë që Kosova pa vendosur për të thënë jo është dashur që të jetë pjesë e këtyre takimeve, të shoh si po trajtohet, cila është qasja dhe ta mbrojë interesin e vet. Unë kam frikë duke e parë që ‘Open Ballkan’ po përkrahet nga administrate amerikane do të vijë një moment kur Kosova do të detyrohet të jetë pjesë e ‘Open Ballkan’ në një far forme pa arritur që të vendos kushtet e veta. Të shkojmë në ato takime dhe ta qojmë interesin tonë përpara qoftë edhe nëse themi jo të kemi argument të plota edhe me partnerët tanë ndërkombëtar në këtë drejtim”, tha Valon Murati.