Edhe një institucion kulturor i është shtuar qytetit të Gjakovës. Bëhet fjalë për kinemanë “Hyrije Hana” e cila është hapur mbrëmë. E filmi i parë që u shfaq ishte ‘’Zgjoi’’ nga regjisorja Blerta Basholli. Fillimisht hapjen e kësaj mbrëmje bëri aktorja Albuena Kryeziu-Bokshi, e cila tha se është një ndjenjë e veçantë kur dimë që pas 30 vjetësh Gjakova bëhet me këtë institucion të rëndësishëm kulturor sic është kinemaja.
Adhuruesit e filmit patën mundësinë që për më shumë se një orë të shohin këtë film i cili tregon realitetin e grave të Krushës të cilat humbën burrat e tyre në luftën e fundit në Kosovë. Regjisorja është munduar që përmes këtij filmi të paraqes jetën e vështirë të Fahrijes, një grua burri i të cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë, me shumë mund e sfida ajo nis një biznes të vogël bujqësor për të siguruar familjen e saj në një mjedis tradicional patriarkal ku ambicia e saj për fuqizimin nuk shihet si një gjë pozitive nga komuniteti. Por pavarësisht barrierave ajo nuk ndalon dhe bashkë me gratë e tjera të kësaj zone arrijnë të ngrisin zërin për fuqizimin e tyre. Publiku që erdhi për të parë këtë film mes emocionesh treguan për mesazhin e fuqishëm që përcjellë ky film. Ata nuk lanë anash pa shprehur edhe kënaqësinë që e kanë tani kur qyteti i tyre ka një kinema.
Të pranishëm ishin edhe producentët e filmit të cilët për televizionin Syri thanë që është nder dhe privilegj i madh që filmi “Zgjoi” të jetë filmi i parë që do të shfaqet në këtë kinema. Gjithashtu ata treguan për vështirësitë e realizimit të këtij filmi dhe sukseset që ka arritur në skenën botërore.
Të gjithë të interesuarit mund ta ndjekin filmin “Zgjoi” edhe për dy ditë të tjera, në termine të ndryshme në kinemanë “Hyrije Hana”.