Europa drejt vaksinimit të detyrueshëm, ja çfarë po ndodh në shtete tjera

Në vendin tonë, në fillim të shtatorit u njoftua se vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm për punonjësit e administratës, policët, farmacistët dhe laborantët. Në fillim të vitit akademik, u kërkua që studentët të vaksinoheshin, në të kundërt nuk hynin në mësim, ose duhet të paraqesnin një test PCR negativ, vendim që duket se nuk është më i zbatueshëm. Po në vende të tjera çfarë po ndodh? Duket se ka një qasje që po anon drejt vaksinimit të detyrueshëm.

Austria

Nga 1 shkurti, vaksinimi do të jetë i detyrueshëm në Austri. Kancelari austriak Alexander Schallenberg tha se kjo ishte mënyra e vetme për të dalë nga një rreth vicioz i valëve të virusit.

Greqia

Greqia do të nisë të gjobisë personat mbi 60 vjeç që nuk vaksinohen. Ata do të gjobiten me 100 euro në muaj nëse nuk e bëjnë vaksinën deri më 15 janar.

Gjermania

Deputetët gjermanë pritet të votojnë për vaksinimin e detyrueshëm. Olaf Scholz, i cili do të bëhet kancelari gjerman më vonë këtë muaj, tha se do të ketë një votim në Bundestag dhe se ai shpreson dhe mendon se deputetët do të votojnë në favor të tij. Angela Merkel, e cila më parë ka thënë se vaksinimi nuk do të ishte i detyrueshëm, tha të enjten (2 dhjetor) se nëse do të ishte anëtare e Bundestagut, do të votonte në favor të vaksinimit të detyrueshëm.

Italia

Italia ishte një nga vendet e para që vendosi vaksinimin e detyrueshëm për profesionistët e shëndetësisë në prill në një përpjekje për të mbrojtur pacientët. Kohët e fundit e zgjeruan këtë detyrim për mësuesit dhe stafin administrativ të shkollave, ushtrinë, policinë dhe punonjësit e emergjencave.

Franca

Nga shtatori, Franca ka kërkuar që profesionistët e shëndetësisë dhe kujdesit, zjarrfikësit dhe punonjësit e transportit të vaksinohen. Punonjësit që janë në kontakt me publikun duhet të kenë një leje shëndetësore në mënyrë që të shkojnë në punë e cila vërteton se janë vaksinuar ose shëruar nga Covid-19 ose se kanë rezultuar negativë në testin e Covid.

Mbretëria e Bashkuar

Vaksinat kundër Covid-19 do të jenë të detyrueshme për punonjësit e shëndetësisë dhe kujdesit social deri më 1 prill në Angli, tha në nëntor sekretari i shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Sajid Javid.

Suedia

Një zëdhënës i ministrit suedez të shëndetësisë tha për Euronews se qeveria nuk ka në plan të prezantojë vaksinimin e detyrueshëm. “Kryerja e vaksinimeve vullnetare, ndërtimi i besimit dhe ndihma e qytetarëve për të marrë vendime të informuara, ka rezultuar të jetë e suksesshme në arritjen e niveleve të larta të vaksinimit në Suedi,” tha zëdhënësi.

Nga 1 dhjetori, Suedia vendosi paraqitjen e lejes-Covid për hyrje në ngjarjet publike në ambiente të brendshme me më shumë se 100 persona. Leja dëshmon se personi është vaksinuar plotësisht, ka rezultuar negativ ndaj virusit në teste PCR ose është shëruar nga sëmundja.

Hungaria

Vaksinimi kërkohet në Hungari për punonjësit e shëndetësisë, mësuesit e shkollave shtetërore dhe njerëzit që punojnë në institucionet shtetërore. Kompanitë private lejohen të vendosin nëse punëtorët duhet të vaksinohen apo jo.

Danimarka

Kryeministrja Mette Frederiksen tha të mërkurën se “do të donin shumë që të ishte individi që merrte vendimin”. Danimarka kërkon dokument që tregon vaksinimin, shërimin nga virusi ose një test negativ për të hyrë në pjesën më të madhe të jetës publike, duke përfshirë restorantet, kinematë dhe parukierët.

Burimet: Euronews, Deutsche Welle, Guardian/Anabelmagazine

Read Previous

Dua Lipa edhe me një tjetër rekord në Librin Guinness

Read Next

Katër raste të reja pozitive me COVID-19