Revista “World Literature Today” i ka kushtuar shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, fituesit të “Neustadt International Prize for Literature 2020”, një numër të posaçëm. Përkthyes, studiues, pedagogë, kanë shkruar për autorin shqiptar dhe arsyet se përse ai duhet lexuar.
Një ndër ta David Bellos, përkthyes dhe studiues i ka kushtuar një shkrim të gjatë me mbishkrimin: Pse duhet ta lexojmë Ismail Kadarenë?
“Arsyeja kryesore dhe më e rëndësishmja pse duhet të lexojmë Ismail Kadarenë është se ai është një rrëfimtar i shkëlqyer. Rrëfen histori të mrekullueshme – dhe rrëfen shumë. Në disa aspekte, Kadare është si Balzaku. Por Balzaku u kufizua në një vend të quajtur Paris, dhe në një kohë, në vitet 1820 (me vetëm disa ekskursione në provincat franceze dhe në Rilindje), ndërsa Kadare na çon kudo: në Egjiptin e lashtë, në Kinën moderne, në një vendpushim turistik në Baltik, në Moskë, Austri dhe në Perandorinë Otomane.
Ka një aftësi gati si të Zhyl Vernit për të udhëtuar nëpër botë. Nëse lexoni Ismail Kadarenë, përshkoni të gjitha epokat që nga shpikja e shkrimit: nga Keopsi që ndërton Piramidën e Madhe te debatet mbi trashëgiminë e Enver Hoxhës në Shqipërinë e viteve 1980 e deri te ngjarjet dhe situatat që ndodhin në Europën Perëndimore pas rënies së komunizmit.”
Ismail Kadare, njihet për opusin e tij impozant shumëvjeçar romancier dhe eseistik, ai rregullisht shkakton jehonë të madhe në kritikën evropiane dhe atë botërore,autor i shumë librave të njohur ndërkombëtarisht, mes të cilëve “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Ura me tri harqe”, “Piramida”, “Trashëgimtari”./ Panorma.al