E para e shtetit, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, i cili Masakrën e Reçakut e quajti gënjeshtër dhe vrasjen e civilëve shqiptarë një falsifikim.
Presidentja Osmani thotë se përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij.
“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën. Përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Osmani ka theksuar se e vërteta e Reçakut është më e fuqishme se cfarëdo propagande e Vulinit dhe bashkëmendimtarëve të tij.
“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, thekon presidentja Osmani. /KP