Emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak ka thënë se pas vizitave në Kosovë dhe Serbi, tani është koha për të punuar në vazhdimin dhe hapat e ardhshëm.
Duke folur për vizitën e tij të përbashkët me zëvendës ndihmës sekretarin dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, diplomati sllovak ka shkruar në Facebook kjo ishte një vizitë e planifikuar prej kohësh.
“Në të gjitha takimet tona me presidentin Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe liderët e partive opozitare, ne dërgojmë një mesazh të qartë të unitetit transatlantik kur diskutojmë rrugën përpara në dialog. Unë jam mirënjohës për mbështetjen e qartë të SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë herë, u ula gjithashtu me ekipin më të madh të BE-së që mbështet dhe monitoron zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut për të dëgjuar për kontributin e tyre të rëndësishëm në misionin tim”, ka shkruar Lajçak.
Ai ka thënë se në Beograd takuan zyrtarët shtetërorë serbë me të cilët kanë diskutuar për hapat e ardhshëm konkretë në dialog, por edhe për zgjedhjet e ardhshme serbe dhe për nismat e bashkëpunimit rajonal.
“Si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, pata gjithashtu rastin të takohem me shoqërinë civile për të dëgjuar pikëpamjet, idetë dhe rekomandimet e tyre se si të çohet procesi përpara. Ndërsa isha në Serbi, më në fund u takova me përfaqësues të komunitetit të biznesit – takim që fillimisht e kisha planifikuar për në shtator, por duhej ta shtyja për shkak të zhvillimeve në terren. Ishte veçanërisht interesante të dëgjohej prej tyre pasi rritja e bashkëpunimit ekonomik është një nga historitë e suksesit të dialogut”, përfundon shkrimi i Lajçak.