Ditë më parë pas ndërrimit të gypave është rikthyer furnizimi me ngrohje në pjesën e parë të segmentit verior duke filluar nga ngrohtorja e vjetër deri tek stadium në qytetin e Gjakovës. Ndërkohë tani janë duke vazhduar punimet e vrazhda për ndryshimin e rrjetit ekzistues të ngrohtores në pjesën e mëtejmë, pra po bëhet ndërrimi i gypave të vjetër të pjesës veriore të qytetit dhe rehabilitimi i kësaj pjese.
Këto punime janë duke u implementuar nga inxhinierë të fushës të cilët thonë se deri më tani si rezultat i gypave të vjetër ka pasur humbje të mëdha të ujit dhe në të njëjtën kohë kanë sjellur edhe humbje të energjisë. Mirëpo përkundër vështirësive punimet janë duke vazhduar.
Përveq ndërrimit të gypave dhe rehabilitimit të sistemit, poashtu janë duke u vendosur edhe nënstacionet termike tërësisht të reja. Të tillë si ky nënstacion do ta kenë të gjitha institucionet publike të cilat janë objekte më të mëdha, ndërsa në objektet tjera nënstacionet janë më të vogla. Sipas inxhinierëve pritet që në sezonin e ardhshëm të gjithë konsumatorët të fakturohen me njësorin matës i cili është i vendosur në secilin nënstacion. Ndërsa nga ngrohtorja thonë se në ditët në vazhdim pritet të rikthehet ngrohja edhe në pjesën tjetër dhe gradualisht me përfundimin e punimeve edhe për të gjithë konsumatorët. Ritheksojmë se realizimi i këtij projekti kap vlerën e investimit prej 5.8milion euro që financohet nga Qeveria Zvicerane e përfaqësuar nga SECO dhe komuna e Gjakovës.