Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për rastin e incidentit tragjik me armë zjarri në fshatin Zllatar të Prishtinës, ku mbeti i vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës e që dyshohet se është qëlluar aksidentalisht nga kolegu i tij teksa po e mbanin një ndejë private.
Sveçla thotë se me të marrë lajmin, ka kontaktuar drejtuesin e IPK-së dhe ka kërkuar hetim të plotë të rrethanave.
“Në orët e hershme jam njoftuar për incidentin me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar nga i cili ka humbur jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Lirim Haxholli. Shpreh ngushëllimet e mija familjes së të ndjerit për humbjen e familjarit të tyre.
Me të marrë lajmin, kam kontaktuar Kryeshefin e IPK-së nga i cili kam kërkuar angazhimin maksimal të këtij institucioni në hetimin e plotë të kësaj ngjarje dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur.
Tashmë janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes si dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie të vihen para përgjegjësisë”, ka shkruar Sveçla.
/GazetaExpress/