Mbi 1 mijë persona kanë kërkuar ndihmë juridike falas këtë vit

Në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) kanë kërkuar shërbime këtë fillim vit, 629 meshkuj dhe 483 gra, pra në total 1 mijë e 110 persona, ka thënë, Anita Alaj-Kalanderi, drejtoresh ekzekutive në këtë institucion.

Ajo ka sqaruar se vitin e kaluar kësaj agjencie i janë drejtuar 4 mijë e 599 qytetarë, prej tyre 2 mijë e 618 meshkuj dhe 1 mijë e 981 femra.

“Statistikat deri për këtë vit thonë se ndihmë juridike falas kanë kërkuar 1 mijë e 110 persona. Prej tyre femra janë 483, meshkuj janë 629 që kanë përfituar ndihmë juridike. Në vitin 2021 kanë përfituar ndihmë juridike falas 4 mijë e 599 qytetarë. Numri i meshkujve prinë, janë 2 mijë e 618 qytetarë meshkuj që kanë përfituar ndihmë juridike falas dhe janë 1 981 femra që kanë përfituar ndihmë juridike falas”, ka thënë ajo.

Alaj-Kalanderi ka sqaruar se ndihma juridike ofrohet në disa lëmi, si ato civile, penale, administrative e kundërvajtëse.

“Kryesisht numri i rasteve që prijnë janë civile dhe në pjesën administrative, çështjet dhe dilemat e ndryshme që i kanë në çështjet pensionale, konteste të marrëdhënies së punës, çështje të ndryshme trashëgimore, çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet familjare që janë alimentacionet, besimi i fëmijëve, shkurorëzimet, ndarja e pasurisë së përbashkët. Në momentin kur pala ka nevojë për përfaqësim në gjykatë, vlerësohet nga zyrtari i agjencisë dhe caktohet avokati që ofrohet nga lista e Odës së Avokatëve dhe përfaqëson në gjykatë, palën që i plotëson kriteret”, është shprehur ajo.

Sa i përket kritereve për të përfituar ndihmë juridike falas ajo ka bërë të ditur se janë tri kritere që duhet përmbushur, ai financiar, kualifikues dhe juridik.

Sipas saj, prioritet kanë viktimat e dhunës në familje për të cilat ka thënë se kanë të drejtë të zgjedhin avokatin nga lista që ofrohet nga Oda e Avokatëve.

“Prioritet kanë viktimat e dhunës, gjë që për viktimat e dhunës e kemi një kushtimisht ta them një vendim. Që në momentin kur viktima e ka një urdhër-mbrojte apo inicion rastin për shkurorëzim dhe për alimentacion apo besim të fëmijëve dhe i duhet avokati për të përfaqësuar në gjykatë, viktima ka të drejtë të zgjedh nga lista e avokatëve cilin do avokat që viktima e dhunës e përzgjedh”, ka deklaruar ajo.

Alaj-Kalenderi ka thënë se për të iniciuar ndihmë juridike falas, të interesuarit duhet të shkojnë në zyrat e ANJF-së, ku zyrtari i agjencisë brenda pesë dite është i obliguar t’u kthejë përgjigje nëse pala ka përfituar apo i është refuzuar kërkesa, raporton EO.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndihmën juridike ua mundëson të gjithë atyre qytetarëve të cilët për shkak të mungesës së mjeteve materiale nuk kanë mundësi t’i qasen sistemit të drejtësisë.

ANJF-ja funksionon në 36 komuna, 21 komuna mbështeten nga buxheti i Republikës së Kosovës, në 6 komuna përmes zyrave mobile të përkrahura nga projekti i GIZ-it, në 7 komuna ekziston klinika mobile lëvizëse, projekt i mbështetur nga UNDP-ja dhe në 7 komuna ku ANJF-ja nuk ka zyrë rajonale as zyrë mobile.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Vizita e kancelarit austriak, gjithçka nga takimi me kryeministrin Kurti

Read Next

Fadil Kujovska, aktori që i dha buzëqeshje skenës dhe ekranit