Në një intervistë dhënë për Telegrafin, kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur optimist për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
I pyetur se pse ka vendosur t’i hyjë rrugës së politikës dhe pse ka shpallur kandidaturën e tij pikërisht në këtë kohë Dehari tha:
“Garën për të hyrë në këto zgjedhje, e kam vendosur pas kërkesave të shumta që më kanë bërë që të kandidojë në listën për deputet. Unë kam shumë shokë në VV, që nga kthimi im në Kosovë, nga viti 1999 kam përcjellë të gjitha zhvillimet politike. Që nga themelimi i VV-së kam mbështetur veprimtarinë e saj, kam mbështetur natyrisht edhe programin e saj. Me kohë pastaj edhe jam anëtarësuar, në këtë kohë kur ka një mbështetje shumë të madhe në gjithë Kosovën dhe jashtë saj, kërkesën për të kandiduar për deputet e kam pasur shumë të vështirë ta refuzojë”, është shprehur ai.
Kandidati për deputet nga radhët e VV-së, thotë se programi që do të prezantojnë para qytetarëve është i njëjti që ka qenë në zgjedhjet e kaluara.
“Meqë zgjedhjet e mëparshme nuk kanë qenë shumë larg, VV ka shpalosur programin para qytetarëve në të gjitha tubimet, po i njëjti program është edhe tash, dhe kërkon mbështetjen e qytetarëve me atë program. Që të vijë në pushtet dhe të zbatojë programin”, pohoi ai.
Dehari ndër të tjara kërkoi nga qytetarët që të dalin dhe të votojnë më 14 shkurt.
“Mesazhi im është që të votojnë më të mirët, në këtë rast mendoj qe subjekti më i mirë dhe më shpresëdhënës është VV. Le ta votojnë VV-në, le ta mbështesin atë, dhe le t’i japin forcë të madhe që të mos mund të minohet siç ka ndodhur në të kaluarën, dhe ta zbatojë programin e vet, dhe t’i hyjë punës për kthesën e madhe që është përcaktuar LVV”, theksoi ai./Telegafi