KOKSH takim me federatat, sporti shqiptar në kufijtë e mbijetesës

Sporti shqiptar është në kufijtë e mbijetesës me buxhetin 700 mijë dollarë, të akorduar nga ministria, me një ulje prej një milion dollarësh krahasuar me vitin e kaluar.

Për të shmangur këtë rrezik, Komiteti Olimpik Kombëtar dhe federatat sportive kërkojnë rihapjen e basteve sportive. Duke vlerësuar se nga veprimtaria e basteve sportive qarkullojnë miliona euro, KOKSH dhe federatat sportive kërkojnë që të ardhurat të menaxhohen nga qeveria.

Fidel Ylli, president i KOKSH, u shpreh: “Të hapen bastet dhe paratë t’i kontrollojë qeveria dhe më pas t’i akordohen sportit”.

Presidenti i peshëngritjes, Elez Gjoza, tha: “Pasi u ballafaquam me një grant skandaloz, ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër, jo me protesta, por me dialog, që qeveria mos të na shohë që prodhojmë vetëm rezultate, por të na shohë si partner. Atëherë dhe ky takim do të jetë shumë rezultativ”.

Sahit Prizreni, president i Federatës së Mundjes, deklaroi: “Gjithë aktivitetet ne i kemi zhvilluar me para xhepi. Shpresoj shumë të sherbejë si një rrugëzgjidhje. Është një situatë qesharake, shpresoj që kjo sot të jetë një zgjidhje e situatës sonë”.

Ndërsa Florent Kalivopulli, president i Federatës së Boksit, theksoi: “Na kanë propozuar dhe që aktivitete ndërkombëtare të zhvillohen në Shqipëri, por nuk i kemi marrë dot përsipër. Më vjen turp…”.

Rregullimi me ligj i basteve sportive dhe garancia se një pjesë e fondeve do të kalojë për sportin, shihet si mundësia më e mirë për të përsëritur titujt europianë dhe botërorë, me të cilët Shqipëria krenohet./A2news/

Read Previous

​Shtatë pacientë me COVID-19 po trajtohen në QKUK dhe spitale rajonale

Read Next

E diela vjen me shi e borë