Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka vendosur edhe ndaj ankesës së Nismës Socialdemokrate, për shkak të moscertifikimit të subjektit politik dhe listës së kandidatëve për deputet nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje.
Lidhur me këtë apel PZAP, ka vendos pjesërisht duke certifikuar si subjekt politik, por jo edhe 12 kandidatët për deputetë të kësaj partie.
Sipas PZAP-së, në listën e Nismës nuk do të jenë Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, Filloreta Bytyçi, Valentina Alijaj, Xhafer Berisha, Aziz Thaci, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gerdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Ardian Nokaj.
“Certifikohet subjekti politik Nisma Socialdemokrate dhe lista e kandidatëve për deputetë të këtij subjekti politik, me përjashtim të kandidatëve të cekur si në piken -I-, të dispozitivit të këtij vendimi. Kandidatët për deputetë nuk mund të zëvendesohen me kandidatë të tjerë”, thuhet në njoftim.
Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it palët mund të parashtrojnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës në afate prej 24 orëve nga momenti i pranimit të vendimit të PZAP-it nga pala.
Ndërsa afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre ankesave nga Gjykata Supreme e Kosovës është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre ankesave nga palët në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës janë përfundimtare dhe të zbatueshme për të gjitha palët./KosovaPress.