Gjashtë milionë euro vlera e drogës së konfiskuar në veri

Policia e Kosovës në bashkëpunimin me Doganën kanë zhvilluar të hënën një aksion në veri, ndërkaq gjatë kontrollit është zbuluar një laborator për kultivimin e kanabisit me mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur në treg ilegalisht.

Aksioni i policisë është ndërmarrë në afërsi të kufirit me Serbinë, përkatësisht në vendin e quajtur Izvor, ndërkaq më vonë u bë e ditur se gjatë këtij aksioni zyrtarët e Policisë dhe Doganës janë gjuajtur me armë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se gjatë këtij aksioni nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

“Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”.

“Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës!”, ka deklaruar Sveçla.

E gjatë aksionit në veri, Policia e Kosovës ka hasur edhe në një laborator për përpunim dhe prodhim të substancave narkotike.

Vlera e drogës së konfiskuar nga zbulimi i laboratorit kultivues të drogës, në Izvor afër kufirit me Serbinë, ka rezultuar të jetë gjashtë milionë euro, ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro.

Në afërsi të kufirit me Serbinë, në vendin Izvor, në veri të Kosovës, policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10,000 fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.

Siç shihet laboratori i kishte të gjitha kushtet për rritjen e bimëve të kanabisit të cilat do të hidheshin në treg sapo të ishin gati.

Sveçla në postimin e tij të fundit, ka publikuar edhe një fotografi të një zyrtari policorë duke i vënë flakën drogës së konfiskuar.

/Telegrafi/

Read Previous

Shqiptari Emin Egriu, edhe zyrtarisht kandidat për Kongres nga Qarku i 26-të i New Yorkut

Read Next

​Presidentja Osmani nderon presidentin historik, Ibrahim Rugova