Situata pandemike në Kosovë vazhdon të mbetet stabile edhe përkundër faktit se në rajon dhe Evropë numrat e infektimeve dhe vdekjeve janë shqetësuese, derisa shtete si Austria jan futur në izolim total. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se janë duke e përcjellë me kujdes situatën e përkeqësuar në shtetet tjera, kur janë pyetur nëse do të vendosen masa të reja.
Gjendja me pandeminë COVID-19 ka filluar të ju dal nga “duart” shteteve të shumta në Evropë edhe përkundër numrit të madh të persoanve të vaksinuar. Kësisoj ato kanë filluar të ashpërsojnë masat Anti-COVID, në mënyrë që të mbrojnë shëndetin e popullatës. Derisa janë organizuar protesta të ndryshme në kundërshtim të ashpërsimit të masave dhe mbylljes totale.
Por, një situatë krejtësisht ndryshe është në Kosovë. Vendi po vazhdon të regjistroj pak raste të infektuara me virus, ku në total janë vetëm 323 raste aktive. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se janë duke e përcjellur me kujdes situatën në shtetet tjera, e cila ka filluar të përkeqësohet.
Nga kjo ministri kanë thënë se masat rishqyrtohen në vazhdimësi në varësi të situatës epidemiologjike.
“Masat rishqyrtohen në vazhdimësi në varësi të situatës epidemiologjike. Për momentin janë në fuqi masat sipas vendimeve të muajit tetor për masat Anti-Covid-19, ndërsa situata po përcillet me mjaft kujdes, duke pasur parasysh përkeqësimin e saj në shtetet e Evropës dhe në rajon”, kanë bërë të ditur zyrtarë nga kjo ministri.
Tutje nga kjo ministri kanë deklaruar se është e rëndësishme që të zbatohen masat që janë në fuqi, sidomos tani që në vend është identifikuar edhe varianti Delta Plus i COVID-19.
Po ashtu, sipas MSH-së, shumë shpejt do të fillojnë edhe me dhënien e dozës së tretë të vaksinës.
“Për MSh-në është shumë me rëndësi që të zbatohen masat në fuqi, aq më tepër që tashmë janë regjistruar edhe raste të variantit Delta Plus (të SARS COV-2), ndërkohë që situata e mëtejme është shumë e ndërlidhur me procesin e vaksinimit të popullatës, për çka i bëhet thirrje asaj kategorie që ende nuk janë vaksinuar, që ta bëjnë sa me parë këtë. Shpejt do të fillojë edhe dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë, sikurse që do të fillohet me vaksinimin e fëmijëve edhe nëpër shkolla, derisa ka prindër që tashmë kanë filluar t’i vaksinojnë fëmijët në qendrat e vaksinimit dhe përmes ekipeve mobile”, kanë shtuar nga MSH.
/GazetaExpress/