Në ceremoninë e çmimeve “Rocco” ishte i pranishëm edhe Paolo Maldini. Pyetja e parë që iu bë përfshinte kombëtaren italiane: “A ju pëlqen kjo skuadër?” Maldini u përgjigj: “Ndonjëherë kërkohet durim dhe ekuilibër. Dështimet për kualifikimin në Kupën e Botës kanë ndikuar në vlerësimin e futbollit tonë. Megjithatë, Italia do të mbetet gjithmonë një protagonist në skenën ndërkombëtare. Fitorja ndaj Francës e ka përmirësuar ndjeshëm gjendjen e mjedisit italian.”
Raundi i pyetjeve vazhdoi me Serie A: “Është një kampionat që ndoshta nuk është shumë i vlerësuar, por në nivel taktik, teknik dhe njohurish është padyshim në ‘top 3’. Interi është skuadra më e kompletuar dhe ka pasur shumë ndryshime në skuadrat e tjera pretendente. Do t’u duhet pak kohë për t’i integruar përforcimet e verës në grupin ekzistues. Kush është më afër Interit në nivel? Milani, që zuri vendin e dytë sezonin e kaluar, si dhe Juventusi. Napoli dhe Roma gjithashtu kanë bërë merkato të shkëlqyer dhe do të luftojnë për suksesin përfundimtar.”
Sa i përket Fiorentinës, Maldini tha: “Ndërrimi i trajnerit dhe ardhja e shumë lojtarëve të rinj kërkon durim. Adli është një lojtar që ka gjetur hapësirë te kuqezinjtë sezonin e kaluar, më shumë se kur isha unë atje. Mendoj se mund të japë shumë te Fiorentina, ka një gjeometri të shkëlqyer loje. Është një djalë i nivelit të lartë.”
Për trajnerin Palladino, Maldini shprehu: “Ideja është që ai të bëjë një hap përpara në krahasim me debutimin e tij, që ishte i jashtëzakonshëm. Ai shpëtoi Monzën për dy vite radhazi në Serie A, duke pasur shumë pak përvojë. Ka bërë gjëra të mëdha, por tani ka ardhur në një mjedis të ri dhe i duhet kohë. Ka gjithashtu shumë lojtarë të blerë së fundi në dispozicion.”
Maldini aktualisht është pa punë dhe komentoi: “A jam mërzitur në shtëpi? Jo, sepse karriera ime ka qenë e gjatë dhe kërkuese, edhe si menaxher. Këto periudha pushimi janë gjithashtu të shëndetshme.”
Ai gjithashtu dha një vlerësim për djalin e tij, që është futbollist: “E njoh mirë djalin tim, gjithmonë kam pasur disa dyshime mbi aftësitë e tij. Ka lojtarë që shpërthejnë në moshën 16-vjeçare dhe të tjerë që vonohen, ndoshta ai i përket kategorisë së fundit. Daniele ka padyshim cilësi të jashtëzakonshme në futboll, sidomos në leximin e lojës. Edhe fizikisht është rritur. Tani është koha që ai të tregojë sa vlen dhe mendoj se po e bën këtë.” /Telesport.al/