Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës lejon që nëse partia e cila ka dalë e para në zgjedhje parlamentare, nuk mbërrin ta formojë shumicën, atëherë kjo e drejtë mund t’u jepet partive tjera që dëshmojnë se mund ta bëjnë.
Pas regjistrimit si deputet me bashkëpartiakët e tij, Abdixhiku ka thënë se qëndrimet e LDK-së nuk kanë ndryshuar.
“Proceduralisht e dini që më 15 prill bëhet betimi. Më pas bëhet propozimi i kryetarit të Kuvendit. Konstituohet Kuvendi pas zgjedhjes së kryetarit dhe të Kryesisë. E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë në këto zgjedhje që të provojë ta bëjë shumicën. Në qoftë se nuk e bën, pas 15 ditësh, Kushtetuta është shumë e qartë: i jep të drejtën secilës parti që dëshmon para presidentes që mund ta bëjë shumicën, ta bëjë një gjë të tillë. Nuk kemi mbërri në atë pikë. Do të jem po aq transparent dhe konsistent edhe për këtë çështje kur të mbërrijmë aty”, ka thënë ai.
I pyetur se a është e gatshme LDK-ja ta votojë kryeparlamentarin, Abdixhiku ka thënë se “një kryetar i Kuvendit që nuk i ka 61 vota për veti s’duhet të jetë kryetar i Kuvendit në radhë të parë fare”.
“Minimalisht duhet t’i ketë 61 vota e më pas shihemi për gjëra të tjera”, ka thënë ai.
Ditë më parë, Abdixhiku refuzoi thirrjen e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim konsultativ para konstituimit të Kuvendit.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK-ja doli e treta dhe siguroi 20 ulëse në Kuvend. Vetëvendosja doli e pari dhe ka siguruar 48 ulëse. Ende s’ka njoftim zyrtar për arritje marrëveshjeje me ndonjë parti tjetër për të krijuar shumicën prej 61 deputetësh. /Koha.net/