Akuza dhe tensione mes Kosovës dhe Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Kryediplomatët e Kosovës dhe Serbisë kanë shkëmbyer akuza të forta gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila u zhvillua pasditen e së martës.

Diskutimi u fokusua në raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë, ku të dy palët nuk kursyen fjalët për njëra-tjetrën.

Ministrja e Jashtme e Kosovës në detyrë, Donika Gërvalla, akuzoi Serbinë për vazhdimin e përpjekjeve për destabilizimin e Kosovës, duke theksuar se Beogradi po përdor veprime konkrete dhe të dhunshme që rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon.

Ajo përmendi inkursionet e armatosura dhe aktet paramilitare që Serbia ka mbështetur, duke përmendur rastin e Banjsksë në shtator të vitit 2023, ku një polic i Kosovës u vra dhe tre sulmues u vranë nga forcat e sigurisë. Gërvalla kërkoi sërish ekstradimin e Millan Radoiçiqit, personi që dyshohet se udhëhoqi sulmin në Banjskë.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, u ankua për përkeqësimin e kushteve të serbëve në Kosovë, duke pohuar se ata po paguajnë një çmim të lartë për situatën aktuale.

Gjuriq kritikoi ashpër Qeverinë e Kosovës për mbylljen e institucioneve serbe dhe ndërprerjen e pagave dhe ndihmave sociale për komunitetin serb në Kosovë.

Ai theksoi gjithashtu se 20% e serbëve kanë ikur nga Kosova që prej ardhjes së Albin Kurtit në pushtet, dhe sulmet ndaj serbëve janë shtuar ndjeshëm.

Gjuriq kërkoi që Kosova të realizojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një premtim të cilin ai e quajti të domosdoshëm për të zgjidhur shqetësimet e serbëve në Kosovë.

Ai theksoi se dialogu duhet të vazhdojë, por duhet të ndërtohet mbi besim reciprok.

Këto hkëmbim akuza dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë pasojë e ngërçit të vazhdueshëm në marrëdhëniet bilaterale, ndërkohë që e ardhmja e dialogut dhe normalizimit të raporteve mbetet e pasigurt.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Sot Dita e Kushtetutës

Read Next

Supergolat e Declan Rice “shkatërrojnë” Real Madridin