Albulena Haxhiu: Pa konsultime, s’mund të ketë zgjidhje

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka këmbëngulur se i kanë votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve, por ka theksuar se është e domosdoshme që të zhvillohen konsultime për të gjetur një zgjidhje lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit në Kuvendin e Kosovës.

Duke folur pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesi të enjten, Haxhiu theksoi se mungesa e konsensusit në takimin konsultativ ka penguar përparimin e procesit.

“Letra që presidentja i ka drejtuar kryesuesit kërkon të gjendet zgjidhje për të mos u bllokuar konstituimi, dhe për ta gjetur këtë zgjidhje duhen konsultime. Pa konsultime, s’mund të ketë zgjidhje”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të kontribuojë në çdo zgjidhje të mundshme.

“Si parti politike, duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit. Kemi vullnet që ai gabim të korrigjohet, por duhet të shohim se cila është mënyra më e përshtatshme,” ka thënë ajo, pas siç thotë ajo, një situatë e tillë nuk është e paraparë as në Rregulloren e Kuvendit, as në Kushtetutë apo në ndonjë ligj tjetër.

Ajo nënvizoi se deputetët e VV-së janë të gatshëm të kryejnë detyrat e tyre dhe të ofrojnë zgjidhje, duke lënë të hapur mundësinë që raportin ta hartojë ose komisioni ekzistues ose ndonjë komision i ri, “por mund të ketë edhe propozime të tjera”.

Kryesuesi Avni Dehari e mbylli seancën e sotme konstituive pa hedhur fare në votim pikën e parë të rendit të ditës, raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. Është hera e dytë që dështon seanca konstituive. Kuvendi do të mblidhet të shtunën në orën 12:00.

Herën e parë, raporti i Komisionit mori vetëm 52 vota. Por Haxhiu po këmbëngul që VV-ja i ka votat e mjaftueshme, që janë së paku 61 për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe kryeministrin. /Koha.net/

Read Previous

​Kurti riemëron Agron Llugaliun në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganës

Read Next

KESCO: Kujdes si e përdorni energjinë elekrike, ta kursejmë atë