Presidenti francez, Emmanuel Macron rroku menjëherë telefonin që të fliste me Donald Trumpin dhe ndaras. Edhe me Volodymyr Zelenskyn e Ukrainës të hënën mbrëma, pasi liderët e tjerë të fuqive më të mëdha ushtarake të Europës u larguan nga Pallati Elize në Paris.
Çfarë arritjesh do të mund t’u jepte shtytje Presidenti francez? A ishte i suksesshëm Samiti i tij i Sigurisë? – ngrit dilema televizioni britanik BBC në një analizë, lidhur me zhvillimet para gjatë dhe pas bisedimeve të Shteteve të Bashkuara me Rusinë pa Ukrainën në Riad në Arabinë Saudite.
Çfarë i frustron kundërshtarët e Europës është mungesa e një përgjigjeje të qartë. Vende të ndryshme europiane flasin me gjuhë të ndryshme, megjithëse ndajnë shumë qëllime dhe vlera të përbashkëta.
Europa në dilemë të madhe
Por, në klimën aktuale të të menduarit bardhezi që po dominon në Uashington dhe në Moskë, ku bota është ndarë në të fuqishëm dhe të dobët, nuanca europiane mund të konsiderohet si dobësi.
Dhe shikuar prej prizmit të momenteve që nuk jepen dy herë si mundësi, dështoi takimi i së hënës.
Liderët kishin krijuar pritje. Samiti u dominua prej kryeartikujve menjëherë pas njoftimit për mbajtjen e tij.
Shefi i aleancës perëndimore të mbrojtjes, NATO-s, shefat e Bashkimit Europian dhe liderët e shteteve europiane më me ndikim ushtarak nuk ia dolën të bëheshin tok.
Ata donin të rroknin vëmendjen e Donald Trumpit. Ta bënin për vete. T’i siguronin vetes një karrige në tryezën e negociatave të paqes që i planifikon t’i zhvillojë me Vladimir Putinin, për të diskutuar të ardhmen e Ukrainës.
Europa po e luante – po e luan prapë – zgjuarsisht të lënën pas dore.
Ukraina është shtet europian. Fati i saj do ta ndikojë mbarë kontinentin.
Pavarësisht se sa mujshar do të dalë Putini prej çfarëdo bisedimesh paqësore, Shërbimet e Sigurisë të Europës druajnë se ai mund të mendojë përmbysjen e sovranitetit të shteteve të tjera europiane.
Dhe shtetet baltike që janë fqinje me Rusinë ndihen veçmas të ekspozuara.
Por, liderët nuk është se e menduan fort këtë punë të hënën.
Po, ata thanë se do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre, qysh e kërkon edhe Donald Trump. Pavarësisht shqetësimeve të brendshme për buxhetet e kufizuara qeveritare dhe kostos së krizës së jetesës.
Takimi i Parisit diskutoi edhe mundësinë e dërgimit të trupave europiane në Ukrainë për monitorimin e Marrëveshjes eventuale të armëpushimit – e paimagjinueshme madje disa javë më parë në Europë.
Dhe, pikërisht për qejf të Presidentit amerikan.
Por, në fund ata liderë të mbledhur në Paris dështuan që të dilnin me një kundërpërgjigje të fortë, të unifikuar dhe të vendosur, që mund ta ketë bërë biznesmenin e kthyer në President të Shteteve të Bashkuara të humbte durimin me ta dhe të mbante shënim.
Arsyet për këtë janë të shumëllojshme, pavarësisht sensit të urgjencës në Europë për Ukrainën dhe sigurinë e Europës gjerësisht.
Irritimi i Kancelarit gjerman
Në numër liderët e Europës janë të frustruar pse ndjejnë se duhet të kërcejnë vallen e Donald Trumpit.
Vreri i nxjerrë prej gojës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz, normalisht flegmatik, ishte i dukshëm kur përfundoi tubimi i Parisit.
“Është krejtësisht e parakohshme dhe kohë krejtësisht e gabuar që të mbahen këto diskutime (për dërgimin e trupave europiane në Ukrainë) tani. Dhe, jam paksa i irrituar prej këtyre debateve.”
Ai ngulmoi se duhet të ketë ndarje të barabartë të përgjegjësisë ndërmjet SHBA-së dhe Europës për Ukrainën.
Scholzi pritet të mos jetë në krye të Gjermanisë. Të dielën ka Zgjedhje të parakohshme në ekonominë më të madhe europiane, ku ai pritet t’i humbë Zgjedhjet.
Së fundi ai ka pasur disa shpërthime të tjera emocionale jokarakteristike, që supozohet se erdhën prej presionit.
Megjithatë, ende është e rëndësishme të theksohet se ai nuk është i vetmi prej liderëve europianë, të cilët dyshojnë se Donald Trump e ka marrë me vrull në duart e tij çështjen e Ukrainës dhe se po drejton vëmendjen edhe gjetiu. Mbase në raport me Kinën?
Ata shqetësohen së tepërmi që Presidenti amerikan jo vetëm që e ka ndarë mendjen ta heqë ombrellën e mbrojtjes që vendi i tij ua kishte ofruar aleatëve europianë prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, porse Europës do t’i duhet ta mbrojë veten kundër tij dhe politikave të tij.
Toni i Kryeministrit britanik spikati në Paris, pasi ishte në kundërshtim të madh me këto mendime ogurzeza europiane.
Ai është i gatshëm të flasë haptas për “marrëdhëniet speciale” që Mbretëria e Bashkuar ende shpreson se i ka me Uashingtonin, për t’i përdorur si urë ndërmjet Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
Keir Starmer është i vendosur që të mos e djegë këtë kartë, duke iu treguar votuesve në vend se siguria europiane është në interes të tyre kombëtar.
Ai nuk dukej i trazuar prej përgatitjeve për bisedime kokë më kokë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite.
Ende nuk është përcaktuar data për një takim të madh ndërmjet Putinit dhe Trumpit.
Kryeministri britanik shpreson se do të ketë një mundësi për ta çuar përpara ndikimin e Europës, kur të marrë udhë drejt Uashingtonit për një takim me Presidentin amerikan javën e ardhshme.
Shtetet e Bashkuara duhet t’u rrinë në krah aleatëve të tyre – ka deklaruar kryeministri Starmer.
Nëse nuk e bën këtë, liderët e Europës do të detyrohen të mbajnë takime derisa të pajtohen për qasjen e tyre për Ukrainë dhe për sigurinë e tyre të përbashkët.
Dhe nëse dështojnë përsëri, hije të gjata do të zgjaten edhe më shumë mbi stabilitetin e këtij kontinenti. /BBC/Kallxo.com/