Për Qeverinë shqiptare, Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka lidhje me çështjen e mbetjeve të dyshuara toksike që kishin si destinacion Tajlandën.
Të paktën kështu është shprehur në një dalje publike – pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave – zëvendëskryeministrja njëkohësisht dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka lidhje me procesin, duke qenë se të gjithë jeni në dijeni se janë procesuar nga koncesionari evropian”, tha ajo në fjalën e saj për mediat.
Sipas saj, përgjegjësia është e Kurum-it, shoqërisë transportuese – por dhe koncesionarit evropian nga ku ka dalë ngarkesa.
Ajo këmbënguli që duhet të priten rezultatet e hetimit për të dalë me një konkluzion sa më të saktë se i kujt është faji.
“Nuk mund të diskutohet siç po diskutohet sot me padurimin për ta lënë diku fajin. Duhet të dalin një herë rezultat, të shikojmë çfarë ka ndodhur. Kini parasysh, është detyrim i entitetit transportues, apo dhe vetë prodhuesi, pra Kurum-i që ka transportuar mbetjet e rrezikshme”.
Sipas Ballukut, çështja e mbetjeve dhe Porti i Durrësit janë dy gjëra të ndryshme.
“Kam vënë re që përfshihen ministritë apo Autoriteti Portual. Transporti i mbetjeve të rrezikshme ka filluar në ’98, kjo është për t’ju dhënë fakte që ka një protokoll të mirëfilltë për të cilin Ministria e Mjedisit ka dhënë detaje. Nuk është asgjë e re, ka edhe tranzitim dhe eksport të mbetjeve që janë të koduara në bazë të kodeve evropiane”.
Për ministren, ka qenë procedurë normale deri kur mori këtë përmasë.
“Autoriteti Portual me koncesionarin që ka kryer këtë transport janë dy entitete konkurrente. Do të ndaja këtu informacionin për këtë çështje pasi qeveria dhe instancat janë angazhuar që ditën e parë në bashkëpunim me OLAF, dhe do të kërkoja që secili t’i jepte kohën e duhur drejtësisë dhe më pas të flasim. Të mos e kthejmë këtë çështje procedurale në një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare që godet Shqipërinë në këtë sezon turistik”, kërkoi ajo.
Balluku theksoi se kompania koncesionare ka marrë këtë shërbim në Portin e Durrësit që në kohën kur PD ishte në pushtet dhe është kompani e një vendi të BE-së.
Ndërkaq – për të njëjtën çështje u pyet edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu.
Konkretisht, nëse gjatë kohës që ka qenë drejtor i Portit të Durrësit, ka vërejtur mbetje toksike në ambient të hapur dhe nëse me kalimin e këtyre ngarkesave u shpërblye me postin e ministrit.
“Për t’ju sqaruar nuk jam në cilësinë e detyrave të mëparshme, por si ministër i Mbrojtjes. Kam përshtypjen se zv/kryeministrja dhe një sqarim shterues për këtë çështje dhe unë i bashkëngjitëm thirrjes së saj, që në asnjë mënyrë që çështje ku ka përgjegjësi apo mosveprime midis enteve private të caktuara, këto t’ia ngarkojmë qeverisë apo enteve publike si çështje të aluduara. Me kaq do të doja ta mbyllja këtë çështje”. /Albanianpost.com