Apple planifikon zhvendosjen e prodhimit të iPhone në Indi

Kompania gjigante teknologjike Apple po planifikon të zhvendosë të gjithë montimin e iPhone-ve nga Kina në Indi deri në fund të vitit 2026, në përgjigje të tensioneve tregtare në rritje mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Lajmi është raportuar nga Financial Times, duke cituar burime të afërta me çështjen.

Ky vendim vjen pas vendosjes së tarifave të reja të ashpra nga Presidenti amerikan Donald Trump, ku mallrat kineze po përballen me tarifa deri në 145%. Qëllimi i këtyre masave, sipas administratës amerikane, është ringjallja e prodhimit vendas dhe korrigjimi i deficitit tregtar. Si kundërpërgjigje, Kina vendosi tarifat dhe kufizimet e saj për eksportet.

Aktualisht, Kina është qendra kryesore globale e prodhimit për iPhone, pasi Apple ka investuar aty për gati 20 vjet. Megjithatë, kompania ka filluar tashmë zhvendosjen e disa linjave të prodhimit në Indi dhe Vietnam, si pjesë e një strategjie të hershme për të diversifikuar zinxhirin e furnizimit. Lëvizja e re pritet të përfshijë prodhimin e më shumë se 60 milionë iPhone-ve në vit vetëm për tregun amerikan.

Sipas Times of India, Apple ka filluar tashmë eksportimin e iPhone-ve nga India drejt SHBA-së. Në fund të marsit, pesë aeroplanë me pajisje dhe telefona u dërguan në SHBA brenda vetëm tre ditësh, në prag të një tarife të re prej 10% që filloi të zbatohej më 5 prill për mallrat indiane.

Ndërkohë, Agjencia Amerikane e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit ka publikuar një listë përjashtimesh tarifore për produkte teknologjike, si kompjuterë dhe telefona, të cilët do t’i nënshtrohen një norme më të ulët prej 20%. Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se këto përjashtime synojnë të japin kohë që kompanitë të zhvendosin prodhimin në SHBA.

Me tarifat e reja dhe kostot e larta të importit, çmimi i iPhone-it më të lirë mund të pësojë rritje të ndjeshme. Modeli iPhone 16, i cili u lançua në SHBA për 799 dollarë në shtatorin e kaluar, mund të arrijë deri në 1,142 dollarë — një rritje prej 43% — nëse Apple ia kalon kostot e tarifave konsumatorëve, sipas një vlerësimi nga Reuters dhe analistët e Rosenblatt Securities./ abcnews.al

Read Previous

Ndikimi i tarifave në ekonominë zvicerane shqetëson publikun

Read Next

Rrihen për parking, njëri përfundon për spital e tjetri në arrati