I ftuar në mikrofonat e “Radio Anch’Io Sport”, Ariedo Braida komentoi momentin aktual të Milanit, duke u ndalur edhe te çështja e drejtorit të ardhshëm sportiv që duhet të rilançojë projektin kuqezi:
“Nuk dua të bëj profetin, sepse të gjithë bëjmë gabime, por e kisha parashikuar një sezon të tillë, që nuk është në linjë me pritshmëritë dhe historinë e Milanit. Fatkeqësisht, gjithçka thashë u bë realitet dhe për këtë më vjen shumë keq, sepse kam qenë gjithmonë milanist. Shpresoj që të ndodhë diçka, që dikush të kuptojë se duhen gjetur zgjidhje me njerëz kompetentë. Fatkeqësisht mungon kompetenca, ka mungesë të këtij vlerësimi te Milani aktual”.
Cili është sipas jush drejtori sportiv ideal për Milanin: Tare, Paratici apo Sartori? Të gjithë janë elementë me shumë përvojë. Janë njerëz kompetentë, që kanë vlerat e duhura për ta ngritur Milanin. Në futboll duhet talent. Për të bërë këtë punë, nëse nuk ke talent, nuk ia del ose nuk bën mirë. Ekzistojnë vlerat dhe duhet gjetur zgjidhja.
Serie A duket pa kampionë të mëdhenj… Futbolli italian tani është ky që është. Mungojnë ata kampionë që kemi parë në të kaluarën. Nëse shikojmë edhe kombëtaren, rezultatet janë ato që janë. Askush nuk ka recetën e së vërtetës në xhep, por mund të bëhet më mirë. Ka njerëz që janë në gjendje ta bëjnë dhe të tjerë jo.
Çfarë përshtypjesh ju lanë fjalët e Antonio Contes? Conte është një trajner fitues, do të ndërtojë ekipe që i japin mundësi të fitojë. E di si fitohet dhe do elementët që sipas tij e ndihmojnë të fitojë. Napoli është një skuadër dhe një klub i madh, tashmë pjesë e elitës së futbollit. Pastaj varet nga ai, personalisht e shoh shumë mirë kudo.
Ju keni qenë në të kaluarën edhe te Barcelona. A mund t’ia dalë Interi në gjysëmfinale të Champions League? Në kohën time ishte një skuadër e jashtëzakonshme. Tani është një skuadër e mirë, por e mposhtshme. Në mbrojtje, katalanasit nuk janë të pakalueshëm. Përpara kanë cilësinë e lojtarëve të mëdhenj, që dinë të shpikin diçka në momentin më të vështirë. /Telesport.al/