Presidenti i rrëzuar sirian, Bashar al-Assad ka thënë se nuk kishte në plan të largohej nga vendi pas rënies së Damaskut një javë më parë, por ushtria ruse e evakuoi atë pasi baza e tyre në Sirinë perëndimore u sulmua.
Këto janë komentet e para të Assadit që kur ai u rrëzua nga grupet kryengritëse, një javë më parë, raporton AP.
Assad ka thënë në një deklaratë në faqen e tij në Facebook se ai u largua nga Damasku në mëngjesin e 8 dhjetorit, disa orë pasi kryengritësit sulmuan kryeqytetin. Ai ka shtuar se është larguar në koordinim me aleatët rusë në bazën ruse në provincën bregdetare të Latakias, ku ai planifikoi të vazhdonte luftimet.
Sipas tij, pasi baza ruse u sulmua nga dronët, rusët vendosën ta transferojnë atë natën e 8 dhjetorit për në Rusi.
“Unë nuk u largova nga vendi si pjesë e një plani siç u raportua më herët”, ka shkruar Assad./koha.net/