ATK-ja mblodhi mbi 184 milionë euro për dy muaj

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka raportuar rritje të të hyrave tatimore për dy muajt e parë të vitit 2025, duke mbledhur gjithsej 184.3 milionë euro. Kjo shifër shënon një rritje prej 7.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ose 12.3 milionë euro më shumë.

Sipas ATK-së, suksesi i mbledhjes së të hyrave tatimore është rezultat i angazhimit të menaxhmentit dhe stafit, si dhe i reformave të ndërmarra për të përmirësuar sistemin tatimor.

“Gjatë vitit 2024, institucionet ndërkombëtare vlerësuan përpjekjet e ATK-së, ndërsa rezultatet e këtij viti konfirmojnë trendin pozitiv”, thuhet në një postim të ATK-së në Facebook të shtunën.

Administrata synon të vazhdojë me intensifikimin e mbikëqyrjes, përmirësimin e mekanizmave të mbledhjes së tatimeve dhe zbatimin e reformave që lehtësojnë përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore. Gjithashtu, do të implementohen projekte të reja për të rritur disiplinën fiskale dhe për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

ATK-ja mbetet “e përkushtuar për të siguruar sistem tatimor efikas, të drejtë dhe transparent, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit”. /Koha.net/

Read Previous

Posta e Kosovës nderon Nekibe Kelmendin me rastin e shënimit të 8 Marsit

Read Next

Sali Berisha: Shqipëria nuk i plotëson kriteret për në BE